Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka takuar ministrin për kthim e komunitete, Goran Rakiq.
“Folëm në kontekstin e ngjarjeve të ditëve të fundit dhe rëndësinë e de-eskalimit të disa prej këtyre çështjeve. Unë ja kujtova atij disa nga qëndrimet e ShBA-ve në disa nga këto çështje, përfshirë masa e reciprocitetit që qeveria e Kosovës, donte t’i vendoste , që nga perspektiva jonë janë konsistente me marrëveshjet e Brukselit, dhe që janë legjitime për tu zbatuar”, tha Hovenier, për gazetarët pas takimit që u mbajt në godinën e Ministrisë për Kthim e Komunitete, njofton Klan Kosova.
Kryediplomati i Uashingtonit në Prishtinë, shtoi se me Rakiq, kanë biseduar edhe për atë që ai e quan “rëndësinë që shqetësimet e komunitetit serb të përfshihen në bisedime dhe të jenë element se si do rrjedhin gjërat”.
“Ne u pajtuam për rëndësinë e takimit mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti, në Bruksel më vonë gjatë këtij muaji dhe nevojën që të shohim disa mënyra të menaxhohet de-përshkallëzimi i disa prej këtyre çështjeve. Dua të jem i qartë Shtetet e Bashkuara, nuk kërkojnë që masat të rishqyrtohen”, shtoi ambasadori amerikan.
Ai, kishte edhe një porosi për nikoqirin që është kryetar i Listës Serbe, i cili subjekt nënkryetar e ka Milan Radojçiq.
“Milan Radojçiq, është vendosur në sanksione nga Thesari i ShBA-ve mbi bazën e informacioneve tona për lidhjet e tij me krimin e organizuar transnacional dhe korrupsion. Prandaj unë i sugjerova atij , se pikëpamja e SHBA-ve mbi këtë individ është e njohur mirë”, përfundoi Hovenier.
Më 5 korrik , Radojçiq, publikoi një video nga Kodra Kamila e Leposaviqit nëpërmjet së cilës ai lajmëroi se është kthyer në Kosovë.