Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka pasur një takim gjatë ditës së sotme me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq.

Hovenier pas takimit është prononcuar për media duke dhënë detaje rreth bisedës me Rakiqin, shkruan Reporteri.net.

Ambasadori amerikan tha se ia ka bërë me dije Rakiqit qëndrimin që SHBA-ja ka për masat e reciprocitetit, të cilat siç tha Hovenier konsistojnë me marrëveshjet e Brukselit.

“Ia rikujtova atij disa qëndrime të SHBA-së për këto çështje që përfshinë masat për reciprocitetin nga Qeveria e Kosovës që deshi t’i fuste në fuqi, nga perspektiva jonë janë konsistente me marrëveshjet e Brukselit dhe legjitime”, tha Hovenier.

Po ashtu, Hovenier tha se ia ka bërë me dije qëndrimin e SHBA për Milan Radiojçiq, i cili është i sanksionuar nga Thesari Amerikan.

Takimi i Hovenier me Rakiqin vjen vetëm një ditë pasi Lista Serbe në krye Rakiqin tha se e kanë për qëllim që ta rrëzojnë Qeverinë Kurti me arsyetimin se ajo punon kundër interesave të serbëve në Kosovë.

“Lista Serbe nuk bashkëpunon me Qeverinë e Albin Kurtit, sepse ajo punon kundër interesave të popullit serb dhe se qëllimi ynë politik është të rrëzojmë Albin Kurtin nga pushteti, i cili është në interes të të gjithëve që duan të jetojnë në paqe në këto zona”, tha Lista Serbe përmes një komunikate për shtyp.