Më 1 mars të vitit 2020 pritet të hyjë në fuqi Ligji gjerman për Fuqinë Punëtore, i cili rregullon me detaje ardhjen e tyre nga vendet jashtë Bashkimit Evropian.

Sipas Ligjit, për herë të parë mund të vish në Gjermani edhe me një vizë gjashtë mujore për të kërkuar punë duke i mbuluar personalisht shpenzimet për këtë periudhë.

Përveç kësaj të rinjtë nën moshën 25 vjeç që kanë mbaruar shkollën, mund të vijnë për të kërkuar një vend kualifikimi për deri në gjashtë muaj, nëse matura e tyre i kualifikon për shkollë të lartë, nëse njohin gjermanishten në nivelin B2 dhe e sigurojnë vetë jetesën në këtë kohë.

Ambasada gjermane në Prishtinë me anë të një njoftimi tregon disa nga detajet e këtij Ligji dhe procedurën e aplikimit për vizë.

“Si fuqi punëtore e kualifikuar konsiderohen të diplomuarit në universitete si dhe personat me një kualifikim në arsimin profesional që njihet në Gjermani. Punësimi është i mundur vetëm në atë profesion për të cilin keni marrë më parë kualifikimin përkatës. Një diplomë profesionale konsiderohet zakonisht si e kualifikuar dhe njihet, nëse në Gjermani ajo do të merrej pas një periudhe dy-tre-vjeçare të arsimit profesional”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Sipas Institutit të Ekonomisë Gjermane në fillim të këtij viti kanë qenë të regjistruar afër 100 mijë vetë nga vendet e Ballkanit Perëndimor që punojnë në punë të thjeshta në Gjermani dhe 60 mijë të tjerë që kanë gjetur punë të kualifikuara.

Por kjo rregullore e posaçme e qeverisë gjermane, e cila u ofrua si mundësi për të reduktuar numrin e refugjatëve nga vendet e Ballkanit në vitin 2015, përfundon në vitin 2020.