Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në emër të institucioneve u ka dërguar letër familjes Restelica, në 29 vjetorin e rënies së heroit Besnik Restelica.
Në letrën e kryetares Haxhiu përmendet që ani se ndaj Besnikut okupatori serb përdori tortura çnjerëzore nuk arritën ta thyejnë.
“Familjes së nderuar Restelica,
Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, shpreh nderimin më të lartë institucional për jetën dhe sakrificën e dëshmorit të kombit, Besnik Restelica, në 29-vjetorin e rënies së tij. I lindur në një familje patriotike në Besianë, Besnik Restelica u angazhua herët në rezistencën kundër okupimit serb dhe më pas në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Arrestimi i tij më 30 janar 1997 dhe torturat çnjerëzore të cilave iu nënshtrua në Burgun e Prishtinës nuk arritën ta thyejnë. Më 23 shkurt 1997 ai u vra në hetuesi, duke mbetur simbol i qëndresës dhe besnikërisë ndaj idealit të lirisë. Sakrifica e tij mbetet frymëzim i përhershëm dhe pjesë e pandashme e kujtesës sonë kombëtare. Me nderime dhe respekt të përhershëm, Albulena Haxhiu Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e Haxhiut.







