Policia e Kosovës është njoftuar se në kampusin universitar, përkatësisht në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë, është vendosur një bombë.

Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës Flora Ahmeti, ka thënë për Reporteri.net se policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur veprimet për menaxhimin e situatës.

“Rreth orës 19:30 është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Kompleksin e Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situaten”, tha Ahmeti për Reporteri.net.

Ahmeti më tej bën të ditur se alarmi për bommbë pas veprimeve policore ka dalë të jetë i rremë.

“Pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës së caktuar nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, informata ka rezultuar të jetë e rrejshme, andaj me urdhër të prokurorit është iniciuar rast Lajmërim apo kallëzim i rremë”, ka deklaruar ajo.

Aty po mbahej koncerti i tenorit Ramë Lahaj, i cili është ndërprerë nga policia.