Lokale - eSIMy

Nënkryetari i LDK’së, Haki Rugova nuk i ka komentuar deklaratat e kryetarit të Gjilanit Lutfi Haziri për qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti lidhur me menaxhimin jo të duhur të pandemisë. Kryetari i Istogut i tha Gazetës Express se nuk do që t’i komentojë deklaratat e kolegëve.

Nënkryetarët e LDK’së Lutfi Haziri dhe Avdullah Hoti nuk po pajtohen për mënyrën se si po menaxhohet pandemia nga qeveria që udhëhiqet prej LDK’së.


Haziri ka kritikuar ashpër nënkryetarin e zgjedhur rishtazi të LDK’së që drejton qeverinë Avdullah Hotin për menaxhimin e pandemisë Covid-19 në nivel vendi.

Kryetari i Gjilanit ka thënë qeveria e Avdullah Hotit nuk ka koordinim me kryetarët e komunave, dhe situata me Covid-19 është jashtë kontrollit.

“Situata po del në padëgjueshmëri qytetare, në mënyrën qysh po menaxhohet. Nëse nuk marrin vendime në koordinim me kryetarët e Komunave, le ta dinë se unë si kryetar i Komunës nuk i ndahem qytetarëve të mi. Unë në ora 21:05 dalë e festoj në Gjilan ose marr pjesë në funerale sepse na kanë dhanë detyra pa kapacitete”, ka thënë Haziri teksa ka shtuar se nuk është kryetar që të numërojë kufoma por të evitojë ato.

Për këtë deklaratë të të parit të Gjilanit nuk ka dashur të flasë nënkryetari i LDK’së njëherit edhe kryetar i Istogut, Haki Rugova.

Rugova ka thënë se nuk dëshiron të komentojë deklatatat e kolegëve të tij.

“Nuk do të doja t’i komentoja deklaratat e kolegëve të mi”, ka thënë shkurt Rugova për Express.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka kërkuar po ashtu që të hiqet ora policore në komunën që drejton dhe të hapen bibliotekat, çerdhet e shkollat e futbollit.

Por në vendimet e reja të qeverisë që pritet të merren nuk parashihet heqja e orës policore në Gjilan, madje është propozuar që nga ora 22:30 deri ne 05:00 të ndalohet qarkullimi edhe në disa komuna tjera.

Para disa javëve Lutfi Haziri kishte deklaruar se nuk i beson qeverisë që udhëhiqet nga Avdullah Hoti.

Kreu i Gjilanit, ka marrë pjesë në takimin virtual të mbajtur dje mes kryetarëve të komunave me kryeministrin Avdullah Hoti për dallim nga takimi i mbajtur më 11 korrik takim në të cilin Haziri nuk ishte pjesëmarrës.