Mbrëmë rreth orës 20:20, në fshatin Konushec të Podujevës janë konfiskuar 91 kilogramë drogë, katër vetura dhe mbi 650 euro, raporton Llapi.info.
Nga ky aksion është arrestuar një person, ndërkohë që tre të tjerë janë shpallur në kërkim, këta të fundit që kanë arritur të arratisen.
Zyrtarët policorë kanë përdorur edhe armët zyrtare për të neutralizuar të dyshuarin dhe sulmin që u ishte bërë, derisa i dyshuari fillimisht kishte goditur me veturë një hetues policor, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupor.
Drejtori i Drejtorisë së Narkotikëve, Reshat Murseli në një konferencë për media bëri të ditur se gjithsej ishin 34 paketime me marihuana.
“Policia e Kosovës, Drejtoria e Hetimit të Trafikimit me Narkotikë Sektori Qëndror, i koordinuar me Prokurorinë e Prizrenit dhe me Prokurorinë e Prishtinës, pas hetimeve të ndërmarra disa muaj, mbrëmë e ka ndërmarrë një operacion taktit i koduar “Kamera” në fshatin Konushec të Komunës së Podujevës. Në kontroll të veturës brenda saj ka gjetur 34 paketime me marihuanë me peshë 91 kg”, u shpreh ai.
“Personat në veturë nuk kanë përfillur urdhrat policorë për ndalim, kanë rritur shpejtësinë dhe më pas kanë goditur njërin prej policëve duke i shkaktuar lëndime të leha trupore. Kjo ka detyruar që njërin prej hetuesve ta shkrep armën dy herë. Për këtë është njoftuar edhe Prokuroria. Më pas, vetura është braktisur dhe të dyshuarit ia kanë dalë të arratisen në këmbë”, ka thënë drejtori i Drejtorisë së Narkotikëve, major Reshat Murselaj.
Siç ka thënë Murselaj, është kontrolluar shtëpia e njërit prej të dyshuarve, F.M., 55-vjeç, në Konushefc të Podujevës, ku dyshohet se është përdor si depo për ruajtjen e substancave narkotike. Është kontrolluar edhe një shtëpi në Brodosan të Dragashit, i të dyshuarit M.Q., por nuk është gjetur asgjë./Llapi.info







