Lokale - eSIMy

Prokuroria Themelore e Ferizaj bashkë me zyrtarët policorë të krimeve të rënda, të martën, zhvilluan aksion për sekuestrimin e rreth 80 vilave, të cilat dyshohet se u ndërtuan kundërligjshëm në Brezovicë.

Sekuestrimi i tyre u bë në kuadër të procesit gjyqësor Brezovica, që sipas prokurorit që po e heton rastin, Rasim Maloku, çështja është goxha komplekse, andaj në këtë fazë emrat e pronarëve të vilave nuk mund të thuhet, njofton Klan Kosova.

Aksioni që zyrtarëve policor u nxori goxha punë, e atë ua vështirësoi edhe më moti i ligë, sipas prokurorit është dashtë të bëhet nga Inspektorati i komunës së Shtërpcës dhe ata të Ministrisë së Mjedisit.

Megjithatë, sa u takon punës së tyre, nga Prokuroria thanë që do të vazhdojnë me hetimet ndaj 70 personave të dyshuar për këtë rast, 30 nga ta janë arrestuar e 18 po qëndrojnë në paraburgim.