Lokale - eSIMy

Shkeljet që bëhen në komunikacion nga shoferët e që për pasojë shkaktojnë aksidente, shpesh përcillen edhe me konflikte verbale e përleshje brutale. Të tilla raste nuk janë edhe të rralla nëpër rrugët e vendit – sidomos në kryeqytet, raporton Gazeta Sinjali.

Për një rast të tillë që ka ndodhur të mërkurën, në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, shtatë persona ka përfunduar në ndalim policor.

Sinjali mëson se mosmarrëveshja mes tyre dhe dy personave të tjerë nisi pas aksidentit në të cilin u përfshinë dhe kaloi në sulm fiik.

Kjo bëri që dikush ta njoftojë Policinë, me ç’rast një patrullë doli në vendin e ngjarjes, ku u arrestuan të dyshuarit dhe u shoqëruan në stacion policor.

Burimet thonë se me rastin e intervenimit Policia ka hasur në rezistencë dhe për pasojë disa policë pësuan lëndime trupore.

Në anën tjetër, të dyshuarit dhe viktimat kanë marrë trajtim mjekësor, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti për veprat “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.