Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e një aksiden që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, në rrugën Podujevë-Prishtinë, konkretisht në fshatin Siboc, shkruan Llapi.info.

Viktimë e aksidentit isht një çift nga Malisheva, i cili ishte nisur për në Kosovë nga Sllovenia.

Ndaj këtij rasti tragjik, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kërkuar nga ministri dhe zyrtarë tjerë të Ministrisë së Infrastrukturës, që të dalin në terren, në vendin ku janë duke u kryer punimet.

Musliu, në seancën e Kuvendit,  ka kërkuar që të sinjalizohet kjo rrugë, pasi siç tha ajo, është bërë rrugë e vdekjes.

“Tash kur po flasim ne i kemi humbur dy mërgimtarë tanë në atë rrugë vetëm në mungesë të sinjalizimit të rrugëve. Është e dhimbshme dhe tragjike që qytetarët tanë të kalojnë mijëra kilometra për me ardh në vendlindje dha ta humbin jetën në aksin rrugor Podujevë-Prishtinë pak pa arritur tek familjet e tyre. I shpreh ngushëllime familjes Sopi dhe qoftë ky rasti i fundit që për shkak të papërgjegjësisë tonë institucionale të humbim qytetarët tanë”, është shprehur ajo.

Më pas, edhe kryetari i kuvendit Glauk Konjufca ngushëlloi familjen.

“I bashkohemi edhe ne ngushëllimeve për familjen që humbi më të dashurit në këtë aksident, ishte tronditëse dhe tragjike”, tha ai.

Nga ky aksident kanë mbetur të lënduar edhe dy fëmijë, të cilët janë në gjendje stabile në QKUK./Llapi.info