Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Sopaj nga Malisheva, e cila humbi dy anëtarë në një aksident të rëndë trafiku në magjistralen Podujevë-Prishtinë, njofton Llapi.info.

Në telegram, kryeministri Kurti i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, duke bashkëndjerë me ta për humbjen tragjike.

Telegrami i plotë i kryeministrit Kurti:

E nderuara familje Sopaj,

Me trishtim e pikëllim të thellë e morëm lajmin për humbjen e jetëve të familjarëve tuaj.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, u shpreh
ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje Tuajën kaq të madhe. Fëmijëve të lënduar
u dëshiroj shërim të shpejtë dhe uroj që të tejkalojnë sa më lehtë pasojat e aksidentit.

Republika e Kosovës bashkëndjen me familjen tuaj. Shpresoj të mund të gjeni forcën
për të përballuar dhimbjen tuaj, që është dhimbje edhe e mbarë popullit.

Me mendje e zemër jemi pranë jush, në këto ditë pikëllimi e zie.

Me nderime,
Albin Kurti
Kryeministër i Republikës së Kosovës