Aksidente të shumta po ndodhin afër shkollës së mesme teknike në Podujevë, shkruan Llapi.info.

Banorët që jetojnë në këtë pjesë janë ankuar se vozitësit e automjeteve po “flutorojnë” me shpejtësi të madhe.

Si pasojë e kësaj, sipas banorëve që kanë treguar për Llapi.info, po ndodhin edhe aksidentet.

Hiç më larg se të hënë mbrëma, një veturë e tipit Golf ka goditur një veturë të parkuar. Si pasojë e kësaj përplasjeje, sipas dëshmitarëve, është lënduar një këmbësor.

Llapi.info pati raportuar për këtë aksidente, duke publikuar edhe pamjet nga  vendi i ngjarjes.

Në po këtë vend, sonte ka ndodhur një tjetër aksident trafiku. Siç ka mësuar portali, nga ky aksident ka edhe persona të lënduar, ndërkohë që me rastin aktualisht po merret policia.

Banorët e kësaj pjese kanë apeluar tek Polica e Kosovës që t’i shtojnë patrullimet, pasi që sipas tyre, rreziku është i lartë nga vozitësit e veturave.

“Mbrëmë e kemi thirr policinë, e kemi lajmëruar një “Golf 4” që vozitke këndej pari mbi 100 orë. Ke duke na shkelur, ata (policia), asgjë nuk kanë ndërmarrë. Po donë me na mbyt, veturat t’u fluturua kësaj rruge”, ka thënë një banor për Llapi.info.