Një aksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 18:00 në magjistralen Prishtinë – Podujevë, përkatësisht në fshatin Vranidoll, raporton Llapi.info.
Sipas dëshmitarëve që kanë dërguar pamje në Llapi.info, në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy vetura, njëra ka dalë matanë rrugës kryesore. Përveç dëmeve materiale, nga kjo përplasje nuk raportohet për të lënduar.
Sipas statistikave ditore të PK-së, vetëm dje në nivel vendi kanë ndodhur 35 aksidente trafiku, prej të cilave 17 kanë rezultuar me persona të lënduar.
Policia e Kosovës në një komunikatë për medie ka bërë të ditur se në periudhën janar-qershor të këtij viti në aksidente trafiku vdiqën 15 persona më pak se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Kjo situatë e sigurisë rrugore është tregues për punën që është bërë nga të gjithë, përfshirë institucionet, shoferët, pjesëmarrësit tjerë në trafik, gjithnjë pa shmangur edhe ndikimin që ka pasur legjislacioni në fushën e trafikut rrugor. Policia e Kosovës, kërkon dhe njëherësh apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e trafikut rrugor dhe të ju përshtaten kushteve dhe rrethanave të trafikut, me qëllim të evitimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë në trafik”, thuhet në komunikatën e PK-së./Llapi.info






