Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik, raporton Gazeta Sinjali.

Vetëm gjatë ditës së djeshme kanë ndodhur 24 aksidente me persona të lënduar, si dhe 52 me dëme materiale.

Sinjali mëson se një ndër aksidentet që u shkaktua në rrugët e vendit ka ndodhur në Prizren, të enjten në orët e mbrëmjes, ku janë përfshirë dy vetura dhe janë lënduar 8 persona.

Aksidenti dyshohet se u shkaktua nga shoferi i njërës veturë, një 22-vjeçar, i cili si pasojë e pakujdesisë gjatë lëvizjes me automjetin e tij ka goditur veturën tjetër nga mbrapa.

Personat e lënduar janë dërguar në spital për trajtim mjekësor, ndërsa në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Policia, për t’i kryer ekzaminimet e nevojshme.