Lokale - eSIMy

Në një letër të publikuar, Shqiptar Shaljani ka shprehur dhimbjen dhe pakënaqësinë e tij ndaj vendimit të bijës, Qendresës, për të mbuluar kokën pas martesës me një burrë nga Kosova, duke theksuar se ky vendim është një akt i imponuar, i cili e ka lënduar thellë.

Shaljani, i njohur për pozicionet e tij kombëtare, ka kujtuar se gjithmonë e ka mbështetur vajzën e tij që të arsimohet dhe të ndiqte rrugën e kulturës dhe identitetit shqiptar. Ai thekson se ka qenë gjithmonë i gatshëm ta mbështeste që ajo të krijonte lidhje me një familje të mirë shqiptare, por gjithçka ndryshoi kur ajo u martua dhe përjetoi vështirësi në jetën bashkëshortore, duke përjetuar nënçmime dhe kërcënime nga bashkëshorti dhe familja e tij.

Në letër, ai shprehet se nuk do ta pranonte kurrë që vajza e tij të mbante shami, dhe e quan këtë si një protestë ndaj një ideologjie që po e kërcënon identitetin dhe kulturën shqiptare. “Nuk është urrejtje, por dhimbje. Nuk është largim, por qëndresë”, shkruan ai, duke shtuar se ky veprim nuk është një refuzim ndaj bijës, por një qëndresë ndaj një kulture që ai e sheh si të huaj dhe të dëmshme për identitetin kombëtar shqiptar.

Letra publike e tij për të bijen:

“Letër për bijën time dhe për opinionin publik :
A do t’ia mbulojnë edhe nënën Qendresës?
Qendresën e pagëzova unë. Ishte emri që zgjodha me gjithë shpirt, si simbol i qëndresës sonë kombëtare, shpirtërore e kulturore. U rrit larg vendlindjes, por me dashuri për rrënjët. E mbështeta që të arsimohej siç i ka hije një vajze shqiptare: Mbaroi shkollimin në vendin ku jetonim, përfundoi studimet në Angli dhe më vonë i vazhdoi ato pasuniversitare në Universitetin e Helsinkit – një rrugëtim për t’u respektuar.
Para se të lidhte jetën me një djalë nga Kosova, Qendresës i thashë:
“Nëse kam fatin që bija ime të krijojë lidhje me një djalë që vjen nga një familje e mirë shqiptare, unë fitoj një djalë. Në të kundërtën, humbas edhe vajzën.”

Mua më ndodhi kjo e fundit.

Ajo u martua dhe solli në jetë tre fëmijë të mrekullueshëm. Por jeta bashkëshortore nuk ishte e lehtë. Përjetoi nënçmim dhe madje edhe kërcënim fizik. Ishte e policia e shtetit që e largoi burrin e saj nga banesa, por ai u strehua te një i afërm i tij, i lidhur me qarqe ekstremiste islamike. Jo vetëm ai, por e gjithë familja e tij ishte e zhytur në një frymë jetese që nuk përputhet me vlerat e mia, me rrënjën dhe krenarinë shqiptare që ia kam mësuar vajzës sime.
Qendresën, për aq kohë sa unë isha aty, nuk e mbuluan. E dinte se nuk do ta pranoja në shtëpinë time me shami – njësoj siç nuk do ta pranoja as motrën time, as tezen, as hallën nëse do i shihja të mbuluara sipas standardeve të huaja, të atyre që përpiqen të na zhbëjnë kulturën dhe identitetin.

Por, më pas, vajzën ma mbuluan.

Sipas informacioneve që kam, ajo u nënshtrua pavarësisht se deklaron se mbulesa ishte vendim i saj i lirë, në faktë ishte një akt i imponuar – madje me porosi dhe me pagesë, sepse ishte fjala për bijën e Shqiptar Shaljanit. A u pagua dhëndrri? Apo rrjeti i njerëzve të tij? Nuk e di me siguri, por e di se bija ime nuk do pranonte kurrë para për të shitur dinjitetin. Ajo bëri një kompromis të hidhur për të ruajtur paqen, për të mbrojtur fëmijët, për të shpëtuar një familje që ishte duke u rrënuar.

Por, unë, si atë shqiptar, si burrë i rritur në frymën e arbërit, nuk mund të rrija pa reaguar.
Kur ma tregoi atë që kishte ndodhur, i thashë me dhimbje, por me bindje:

“Nga kjo ditë e tutje, derisa ta mbash shaminë, nuk ke të drejtë të më quash baba.”
Ky nuk është refuzim ndaj fëmijës tim, por një protestë ndaj ideologjisë që po na e mbyt identitetin kombëtar. Nuk është urrejtje, por dhimbje. Nuk është largim, por qëndresë.

Unë nuk kam luftuar gjithë jetën për ta parë bijën time të kthyer në simbol të një kulture që nuk është e jona. Nuk dua që nipërit e mbesat e mi të rriten në frymën e frikës, nën mbulesën e imponuar nga mendësi të huaja që nuk kanë lidhje me krenarinë tonë kombëtare, me kulturën tonë arbërore, me besimin e të parëve.
Bijë, nëse lexon këtë letër, dije se dashurinë time nuk e ndal shamia, por e lëndon thellë. E di që ende ka forcë brenda teje – forcën që ta kam dhënë kur të quajta Qendresë. Nëse e mbulove shpirtin, zbuloje të vërtetën. Nëse e mbulove kokën, lëshoje mendjen të flasë lirshëm. Sepse emri yt nuk ka lindur për të heshtur.”