Lokale - eSIMy

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas kërcënimeve të deputetit të Vetëvendosjes, Haki Abazi ndaj mediumit Albanian Post dhe drejtorit të saj, Baton Haxhiu.

AGK thotë se është thellësisht i shqetësuar dhe se kërcënimi i hapur e me paramendim i deputetit ndaj gazetarëve është i papranueshëm dhe kontribuon në rrezikimin e sigurisë për kolegët tanë.

“Veprimi bëhet edhe më serioz për faktin që vjen nga një zyrtar i lartë i partisë që udhëheq me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës”.

AGK-ja e fton partinë e Abazit, sikurse edhe institucionet shtetërore të distancohen qartë nga gjuha kërcënuese e deputetit.

“Albanian Post” ka publikuar audio-incizimin në të cilin Abazi dëgjohet duke kërcënuar mediumin për shkak të raportimit të mëhershëm për dështimin e procesit për emërimin e ambasadorëve të rinj të Kosovës.