Para dhjetë vjetësh, Branislav Nikoliq si agjent i shërbimit sekret serb punonte kundër UÇK-së, sot Hashim Thaci e ka emëruar këshilltar politik, raporton T7
Në shikim të parë duket një muhabet normal mes dy personave.
Por përmbajtja e kësaj bisede e cila u publikua në vitin 2009 nga Televizioni Publik, tronditi opinionin kosovar.
Personat që shihen në këtë xhirim – thuhej me pompozitet – se janë agjent të shërbimit sekret serb të ardhur me Mision nga Beogradi për t’u ofruarmijera euro njerëzve që janë të gatshëm të dëshmojnë kundër UCK-së.
Ata u arrestuan, u nxoren para kamerave me duar ne pranga dhe nga shefat e politikes u quajt si nje fitore e madhe.
Sot, njëri prej tyre, çuditërisht, është këshilltar i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Millutin Radanovic, Predrag Zhelkovic shtetas te Serbisë dhe Igor Jucinac pjesëtar i Policisë së Kosovës si pjesëtarë të shërbimit sekret serb në vitin 2009 ishin filmuar duke dhuruar shuma të majme parash në këmbim të deklaratë të rrejshme për transplantim organesh.
Bile gjatë kësaj bisede përmendet edhe shifra sa kishte marrë një person që kishte dëshmuar rrejshme për transplantim të veshkës.
Këta persona i kishte arrestuar policia me 11 qershor të vitit 2009 në afërsi të Cagllavicës.
Për çka hetuesit kishin ngritur kallëzim penal për krim të organizuar dhe pjesëmarrje të drejtpërdrejt.
Në këtë kronikë të transmetuar në RTK, shfaqet dhe njëri nga personat e kërkuar, por që ishte në arrati.
Ky është Branisllav Nikoliq i cili bashkë me tre persona tjerë akuzoheshin për krim të organizuar.
Sot, Branisllav Nikoliq, këshillon Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.
Ngjashmëria mes videos dhe fotografisë e dëshmon këtë.
Madje për arrestimin e Nikoliqit kishin raportuar edhe mediat serbe në atë kohë.
Prezenca e një serbi të dyshuar se ka qenë pjesë e BIA-s, në zyrën e kryetarit të shtetit, shihet si e rrezikshme për vendin. Eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi, thotë se ka pasur informacione të për këtë rast.
Bazuar në dëshmitë që kishte policia dhe prokuroria ishte ngritur aktakuzë kundër serbëve të arrestuar.
Televizioni T7 ka siguruar aktvendimin e Gjykatës së Qarkut i cili në mungesë të provave e ka hedhur poshtë aktakuzën e prokurorisë.
Në vendimin e kësaj gjykate ku fshihen emrat e të dyshuarve, thuhet se nuk janë gjetur elemente të mjaftueshme.
Se kishte mungesë fakteve ndonëse gjithçka ishte e dukshme dhe kishte edhe dëshmitar, e pohon edhe avokati Shefki Sylaj që mbronte njërin prej të akuzuarve.
Po si përfundoi një agjent i BIA-s në këshilltar të presidentit të Kosovës?
a është verifikuar e kaluara e Nikloqit para se ai të futet në zyrën e presidentit?
Televizioni T7 ka disa ditë që ka kërkuar një përgjigje nga Presidenca por ata nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim.
Nuk është ky rasti i vetëm kur Presidenti Thaci i ka rekrutuar si këshilltar personat që ai ka dyshuar se mund të dalin dëshmitar kundër tij në ndonjë proces gjyqësor.
Këshilltar i Thaçit është Veli Bytyqi, i cili gjatë kohës së luftës ishte arrestuar bashkë me një delegacion të LDK’së, kur ata po i vizitonin vatrat e luftës. Presidenti Thaçi e mbanë afër vetës, në pozita të ndryshme, edhe Gjergj Dedajn, i cili gjithashtu ka qënë i arrestuar në atë kohë. Dedaj sa herë që është ndier i braktisur nga Thaçi ka filluar ta akuzojë atë për rastin e tij dhe të zyrtarëve të LDK’së.
Në këtë frymë thuhet se është edhe një dekoratë që Thaçi ia ka ndarë postmortum Haki Ymerit, ish zyrtar i LDK’së në Skenderaj, i vrarë në rrethana të pasqaruara pas përfundimit të luftës. Vëllai i të ndjerit, Ymeri, e kishte akuzuar direkt Presidentin Thaçi për këtë vrasje. Mirëpo diçka ka ndodhur dhe është arritur një paqe në mes të Thacit dhe vëllait të të ndjerit.
Në këtë vazhdë është parë edhe kërkim falja që Thaçi ia ka bërë Gani Gecit, i cili kërkonte përgjegjësi për një komunikatë që Shtabi i Përgjithshëm i UCK’së e kishte lëshuar kundër Gecit dhe familjes së tij. Thaçi, në RTK, 20 vjet pas, ka thënë që komunikata të këtilla janë lëshuar nga stacionet e trenave në Perëndim dhe se i kërkonte falje familjes Geci për shqetësimin që i ka shkaktuar.