Lokale - eSIMy

Që nga betimi si kryetar i Komunës së Podujevës dhe zgjedhjes së kryesuesit të Kuvendit, Agim Veliu, nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë të rregullt, shkruan Llapi.info

Nga janari kur edhe u zgjedh kryesuesi i Kuvendit, i pari i Podujevës, Agim Veliu nuk është ballafaquar me asnjërin nëpër mbledhjet e mbajtura në Kuvendin Komunal.

Mungesën e tij, e kanë kundërshtuar fuqishëm në çdo seancë opozita e Podujevës. Sipas tyre, kryetari Veliu nuk merret me shqetësimin e qytetarëve dhe temat e ditës derisa ka pasur edhe seanca të jashtëzakonshme.

Shefi i grupit të këshilltarëve nga radhët e PDK-së, Rafet Llapashtica, ka thënë për Llapi.info se i pari i Podujevës, ka pasur qëllim t’i marrë votat, por jo t’ua zgjidh problemet qytetarëve.

“Tash veç po përfundon viti 2018, kryetari Veliu një kryetari i papërgjegjshëm i cili i ka qitur në lajthitje qytetarët e Podujevës, vetëm sa për t’ua marrë votën me premtime të cilat kanë qenë boshe. Asgjë nga ato premtime nuk ka realizuar dhe nuk merr pjesë në asnjë seancë ku paraqiten shumë shqetësime të qytetarëve. Kjo është një neglizhencë që ky lloj kryetari të mos merret fare me shqetësimet e qytetarëve. Veliu ka pasur vetëm një qëllim si t’i lajthit dhe t’ua merr votat qyetarëve, por jo t’ju zgjidh problemet”, ka thënë ai.

Sipas tij, Komuna e Podujevës nuk i ngjan një fshati të zhvilluar.

“Një kryetari i cili ende nuk e ka të plotësuar ekzekutivin me drejtori të cunguara, e disa me ushtrues detyre. Qeverisje pa kreativitet dhe e dobët e cila e ka lënë Podujevën në nivelin të cilin është, ku nga pamja dhe funksionaliteti nuk mund të quhet qytet, por nuk i ngjan as një fshati të zhvilluar”, theksoi ai.

“Qeverisja e Veliut është treguar si më e dobëta në nivel Komunash. Ne shohim Komunat tjera se ku kanë shkuar me zhvillim dhe investime, është retorik e njëjtë sikurse vitet e mëhershme. Kjo Qeverisje lokale e udhëhequr nga Agim Veliu, nuk ka ide kreative as aftësi për të zhvilluar Komunën. Nuk ka ide se si të krijoj kushte për asnjë kategori të qytetarëve e as për rinin, as për të moshuarit, ambientin, infrastrukturën, shkollimin cilësor. Këto edhe shumë të tjera që sot ish dashur t’i ketë Podujeva. Është humbje kohe të bisedosh për një udhëheqje të tillë dhe metodë qeverisjeje, sikurse kjo e LDK-së në Podujevë”, tha më tej ai.

Edhe Lirika Maliqi nga Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar dhe ka akuzuar kryetarin e Podujevës, Agim Veliun, se nuk ka interesim nga ana e tij për t’i dëgjuar hallet e qytetarëve që paraqiten në seanca.

“Është e vërtetë që për 14 seanca rresht kryetari i komunës nuk është prezent, përjashtim seancën e parë kur është dashur ta bëjë betimin dhe në seancën e dytë (seanca e pazareve) me rastin e zgjedhjes së kryesuesit të kuvendit, ku me prezencën e tij në këtë seancë ka pasur qëllim të ushtrojë presion ndaj dy kolegeve të opozitës për ta votuar kryesuesin e kuvendit nga radhët e LDK-së”, ka thënë Maliqi.

Sipas Maliqit, i pari i Podujevës, Agim Veliu, ka harruar rolin përgjegjës në Komunë.

“Neglizhenca e kryetarit Veliu karshi kuvendit komunal është tregues i qartë që ky njeri nuk ka interesim për hallet e qytetarëve, por për hallet e partisë në nivel qendror. Ai e ka harruar rolin e vet, përgjegjësinë dhe komunën sepse nuk është fare në dijeni për problemet e qytetarëve. Krejt çka mund të thuhet është se ne e kemi një kryetar të papërgjegjshëm dhe keqpërdorues të besimit të qytetarëve”, ka shtuar ajo për Llapi.info

Maliqi e ka cilësuar qeverisjen e Veliut këtë vit si të dështuar, duke përmendur edhe investime kapitale që sipas saj, janë të ulëta në krahasim buxhetin e ndarë për këtë kategori.

“Për sa i përket vlerësimit të qeverisjes së Veliut gjatë këtij viti nuk mund të them se kjo qeverisje ka bërë ndonjë punë, për vetë faktin se ka dështuar në realizimin e buxhetit në aspektin e shpenzimeve kapitale. Nga rreth 6 milionë euro të planifikuara, janë shpenzuar vetëm rreth 1 milion euro ose rreth 28% e buxhetit, ku suficiti është minimum 60% i buxhetit, që është një dështim i përmasave të mëdha. Prandaj, lirisht mund të konkludojmë që ky vit i qeverisjes së Veliut ka qenë i dështuar”, tha Maliqi.

Ndryshe, në Kuvendin e Komunës së Podujevës deri më tani janë mbajtur 14 seanca të rregullta./Llapi.info