Një varg shkeljes janë evidentuar në Komunën e Podujevës gjatë kohës së qeverisjes së Agim Veliut për Ligjin e Punës, shkruan Llapi.info.
Këto gjetje janë publikuar nga Auditori i Përgjithshëm. Sipas këtij raporti, kur Veliu ka udhëhequr me Komunë e Podujevës ishin identifikuar disa mangësi te kontratat për shërbime të veçanta.
Komuna kishte angazhuar 30 persona me kontrata për punë dhe detyra specifike, ku 23 prej tyre punonin për periudhën kohore më të gjatë se katër muaj brenda një viti.
“Zyrtarët punonin, si infermierë, zyrtar për të dhëna, roje, punëtorë teknik, etj. Komuna kishte angazhuar 30 persona me kontrata për punë dhe detyra specifike, ku 23 prej tyre punonin për periudhën kohore më të gjatë se katër (4) muaj brenda një viti. Po ashtu, kishte angazhuar nëntë persona përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta për të cilët nuk ishte zbatuar një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit. Zyrtarët punonin, si infermierë, zyrtar për të dhëna, roje, punëtorë teknik, etj. Këto pozita konsiderohen si pozita të rregullta të punës e jo si detyra specifike siç janë cilësuar nga ana e komunës. Sipas komunës kjo ishte pasojë e mungesës së pozitave të aprovuara në planifikimin e buxhetit, mirëpo komuna ka pasur të aprovuar me ligjin e buxhetit 1,980 pozita, ndërsa në fund të vitit numri i të punësuarave ishte 1,921 në PVF-ve të komunës”, thuhet në raportin e Auditorit.
Më tej, sipas këtij raporti, ish-kreu i Komunës së Podujevës, tani Ministër i Punëve të Brendshme, s’i ka respektuar nenet 10 dh 12 të Ligjit të Punës.
“Sipas neni 10 të Ligjit të Punës Nr. 03/L-212, kontrata për një detyrë specifike, nuk mund të jetë më e gjatë se njëqindenjëzet (120) ditë brenda një (1) viti dhe sipas nenit 12, pika 4, të Ligjit nr.03/L-149 për Shërbimin Civil, emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë (6) muaj do të bëhen në bazë të kontratave të quajtura “Marrëveshje për shërbime të veçanta” të cilat i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet dhe për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit”, thuhet më tej.
Sipas zyrës Kombëtare të Auditimit e Republikës së Kosovës, mbulimi i pozitave me marrëveshje të përkohshme dhe tejkalimi i afateve ligjore rezulton me performancë dhe monitorim të dobët të stafit dhe rritë pasigurinë nëse në pozitat e tilla është angazhuar stafi meritor.
E, Veliut i është rekomanduar që punonjësit me kontrata për detyra specifike të angazhohen vetëm në rastet kur ka kërkesa specifike.
“Kryetari duhet të sigurojë se punonjësit me kontrata për detyra specifike të angazhohen vetëm në rastet kur ka kërkesa specifike dhe angazhimet për këto shërbime nuk duhet të zgjasin më shumë se katër muaj. Po ashtu, pozitat e rregullta të punës të mos mbulohen me kontrata për detyra specifike dhe marrëveshjeve për shërbime të veçanta. Gjithashtu duhet të zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit për marrëveshjet për shërbime të veçanta”, thuhet më tej në rekomandimin e raportit.
Duhet theksuar se Auditori i Përgjithshëm, përveç kësaj, ka gjetur shkelje të shumta që kanë bërë zyrtarë të Komunës së Podujevës. Një e gjetur tjetër ka qenë edhe eliminimi i operatorëve më të lirë ekonomikë nëpër tenderë, për t’i lidhur kontratat me operatorë tjerë me çmime më të shtrenjta./Llapi.info






