Lokale - eSIMy

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dega në Podujevë, Agim Veliu, ka uruar simpatizantët e kësaj partie me rastin e 31-vjetorit të themelimit të kësaj partie në Llap, raporton Llapi.info.

Ai në një postim në Facebook, duke falënderuar votuesit për besimin, është shprehur se do ta kryej me nder dhe krenari pozitën e deputetit të Kuvendit të Kosovës.

“Sot, në 31 vjetorin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës – dega në Podujevë, partisë së parë me vlera demokratike e institucionale, lëvizjes së parë politike në vend, uroj gjithë strukturat, aktivistët dhe votuesit e LDK-së, këtë ditë të rëndësishme për Podujevën por edhe gjithë Kosovën. Kujtojmë dhe nderojmë sot themeluesin, arkitektin e Pavarësisë së Kosovës, Presidentin historik, Dr.Ibrahim Rugova si dhe gjithë veprimtarët, aktivistët që kontribuan dhe sakrifikuan jetën e tyre për mbrojtjen e bindjes dhe idealit të tyre për shtet të lirë, pavarësi e demokraci”, ka shkruar ai.

“Lidhja Demokratike e Kosovës që nga themelimi i saj, ka qenë gjithmonë prijetare e proceseve të rëndësishme e të mëdha politike të vendit tonë, duke pasur mbështetjen dhe besimin e qytetarëve të saj, për çka edhe sot ju falënderojë gjithë juve votues besnik të LDK-së, për mbështetjen, përkrahjen, punën e aktivitetin tuaj në çdo kohë, e poashtu edhe besimin që më dhatë mua në zgjedhjet e fundit, duke më votuar për të qenë deputet i juaji në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përgjegjësi kjo që do ta kryej me nder dhe krenari, gjithmonë në shërbimin tuaj, për interesin e Shtetit të Kosovës. LDK-ja ka qenë, është dhe do të mbetet gjithmonë parti që prioritet ka interesat nacionale të vendit”, ka përfunduar Veliu./Llapi.info