Kreu i Komunës së Podujevës Agim Veliu, ditë më parë ka mbajtur takim publik me qytetarë, të cilët i ka informuar për realizimin e projekteve dhe aktivitetet e tjera të parapara për vitin 2019, raporton Llapi.info.
Me këtë rast, i pari i kësaj komune tha se projektet e miratuara në Kuvend dhe aktivitetet e tjera të planifikuara për vitin 2019 kryesisht janë realizuar, ndërsa disa të tjera, sipas tij, janë në fazën e realizimit.
Veliu përpara banorëve ka thënë se buxheti i Komunës për këtë vit është 22,032,619.00 euro, prej të cilave 6,701,334.00 euro për investime kapitale që janë të orientuara në projekte të ndërtimit dhe rregullimit të infrastrukturës. Ai në këtë takim përmendi asfaltimin e rrugëve në qytet, lagje dhe nëpër fshatra të Podujevës.
“Gjatë këtij viti kemi gjithsej 52,840.58 km rrugë të asfaltuara, kurse 3,5 km rrugë të kubëzuara”, ka thënë Veliu, duke përmendur rrugët që tashmë janë të asfaltuara.
Veliu tha se sivjet janë ndërtuar mbi 7 km trotuare, 13 km ndriçim publik në qytet dhe fshatra. 31 km rrjet i kanalizimit dhe 10 ura. Pasi mbaroi fjalimin, Veliu lëshoi sallën e Kuvendit duke shtuar se ka edhe takime tjera, kësisoj duke mos i dëgjuar kërkesat e qytetarëve.
Përkundër që nëpër debate publike me qytetarë, kreu i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, thoshte se 90 për qind e rrugëve në këtë Komunë janë të asfaltuara, shumë qytetarë kanë vazhduar me kërkesa për projekte të ndryshme infrastrukturore në drejtim të tij dhe ekzekutivit komunal.
Asfaltim rruge në Lagjen e Dëshmorëve në këtë takim kërkoi Agron Hetemi nga fshati Balloc.
Kërkesa dhe akuza ka adresuar tek drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit Rexhep Dauti nga fshati Lluashë. Ai tha se në këtë fshat s’janë asfaltuar asnjë rrugicë, derisa shtoi se vetëm baza i është përfunduar rrugës kryesore që lidhet me fshatin Dobërdol.
Qe katër vjet kërkojnë asfaltimin e një rruge banorët e fshatit Konushec. Kështu ka thënë në këtë takim Enver Berisha.
“Qe katër vjet kërkojmë asfaltimin e një rruge. Na keni thënë për këtë vit, por s’do të kryhet”, ka thënë Berisha. Asfaltim rrugësh kërkuan edhe banorë nga fshati Bajçinë, Penuhë, Dumosh e Dumnicë e Epërme. Po ashtu, banorët kanë thënë se kanë paguar edhe projekte, por punimet s’janë kryer.
Por, në lidhje me këto kërkesa dhe akuza, drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Hamdi Jaha, është kundërpërgjigjur teksa ka thënë se ka rrugë me kilometra të paasfaltuara, e ka ankesa siç ka thënë ai “për 50 metra”.
“Këtë vit pra janë shtruar mbi 52 kilometra asfalt. Nuk ka rrugë në Podujevë që s’e kam vizitua. Sot ne thirremi për 50 metra, a në Metergoc e kemi asfaltimin e rrugës 10 kilometra që kanë pengesë edhe fermerët atje. Kushevica 7 kilometra. Këtu patën disa ankesa, si p.sh ajo në Llaushë për rrugën që lidhet me Dobdërdolin, do mundohemi që kjo të kalojë në Ministri, për arsye se është si rrugë regjionale. Është e vërtet se në fshatin Balloc është një rrugë e paasfaltuar, e cila do të ndërtohet. Kemi 75 fshatra, por ka që në disa ende që s’është punuar fare”, ka thënë Jaha, duke premtuar do t’u bëhet zgjidhje kërkesave të banorëve në këtë debat.
Po ashtu, qytetarët e pranishëm në takim publik kanë shtruar pyetje për projekte të ndryshme, të cilat kryesisht kishin të bëjnë me investime kapitale në infrastrukturë dhe shërbime publike./Llapi.info






