Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, është shprehur i bindur se stadiumi i qytetit të Podujevës, Zahir Pajaziti do të licencohet nga UEFA për ndeshjet ndërkombëtare, raporton Llapi.info.

Këto komente Ademi i ka bërë në një postim në Facebook, me rastin e vizitës së bërë në stadiumin e KF Llapit.

“Sot e vizitova stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, i cili është bërë një ndër arenat më të bukura sportive në vend. Ky stadium është i gatshëm për edicionin e ri, derisa fusha është në gjendje shumë të mirë. Tani kanë mbetur të plotësohen edhe disa kritere dhe më pas do të ftohet Komisioni i UEFA-s për licencim dhe kategorizim të stadiumeve. Sigurisht se me punën që është bërë dhe po bëhet, ky stadium do ta marrë licencën për ndeshje ndërkombëtare të ekipeve tona. Jam i kënaqur me mirëmbajtjen e mirë të këtij impianti dhe uroj që të vazhdohet kështu edhe në të ardhmen. Ky stadium ka arritur në këtë nivel në saje të Memorandumit të Bashkëpunimit për investim të përbashkët ndërmjet MKRS-së, FFK-së dhe Komunës së Podujevës, derisa vitin e kaluar FFK ka investuar sërish në shtrimin e fushës natyrale”, ka shkruar ai./Llapi.info