Autoriteti i Aviacionit Civil, njofton se janë duke bërë vlerësimet dhe përgatitjet e duhura për hapjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për fluturime ajrore.

Përmes një komunikate thonë se të gjitha rekomandimet e dala nga protokolli ndërkombëtar i sigurisë për mbrojtjen e shëndetit në aviacion do të zbatohen.

“Njoftohen të gjithë operatorët ajrorë, udhëtarët dhe palët tjera të interesuara se Autoriteti i Aviacionit Civil, në koordinim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe në bashkëpunim me institucionet tjera përgjegjëse janë duke bërë vlerësimet dhe përgatitjet e duhura për hapjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për fluturime ajrore, duke u siguruar se të gjitha rekomandimet e dala nga protokolli ndërkombëtar i sigurisë për mbrojtjen e shëndetit në aviacion do të zbatohen”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre, janë në pritje të vlerësimit nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në lidhje me situatën aktuale shëndetësore me COVID-19.

“Në momentin e një rekomandimi pozitiv nga ky Institut, Ministria e Shëndetësisë në koordinim me Ministrinë e Infrastrukturës do t’i propozojnë për vendimmarrje Qeverisë hapjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për fluturime të rregullta”, thuhet në fund.