Lokale - eSIMy

Sinjali mëson ekskluzivisht se është gjetur adoleshentja A.H., e cila ishte raportuar si person i zhdukur nga babai i saj në orët e mëngjesit të së shtunës në Podujevë.

Burimet brenda Prokurorisë bëjnë me dije se 15-vjeçarja ishte larguar nga shtëpia gjatë natës, rreth orës 03:00, pa paralajmërim dhe ishte shpallur në kërkim pas paraqitjes së rastit nga familja.

Policia kishte iniciuar procedurat standarde për gjetjen e saj, përfshirë edhe njoftimin e Prokurorisë për të mitur.

Mëngjesin e së njëjtës ditë, rreth orës 13:15, vajza ishte paraqitur vetë në Stacionin Policor në Podujevë. Në prezencën e zyrtares së Qendrës për Punë Sociale, ajo ka deklaruar se ishte larguar e vetme, për të “shëtitur” në fshatin Obranqë, afër lumit Llap dhe më pas në afërsi të sheshit në Podujevë. Sipas saj, nuk kishte kontaktuar me askënd dhe ishte kthyer në dhomën e saj në orët e paradites.

Në dëshminë e saj, adoleshentja ka sqaruar se ka raporte të mira me babain, por jo edhe me gjyshin, i cili, sipas saj, është i moshuar dhe me diabet, dhe shpeshherë bërtet.

Me urdhër të Prokurores së Departamentit për të Mitur, rasti do t’i referohet prokurorisë me raport të veçantë.