Ish-deputetja e LDK-së, Adelina Thaçi, ka reaguar për zhvillimet e fundit politike, duke shprehur shqetësim për mënyrën se si, sipas saj, po funksionojnë institucionet dhe partia e saj.
Thaçi ka kritikuar qasjen e disa politikanëve, duke thënë se interesat personale dhe “pazaret e vogla” nuk duhet të jenë mbi interesin e qytetarëve.
Ajo i ka bërë thirrje LDK-së të jetë më konsistente dhe të mos largojë njerëzit që e kanë mbështetur.
Në reagimin e saj, Thaçi ka uruar edhe Presidenten e re, Justina Shiroka-Pula, duke shpresuar për një periudhë me më shumë qetësi, përgjegjësi dhe punë.
“Partia ime, Zoti të ndihmoftë. Por mbi të gjitha, kthjellohu”, ka shkruar Thaçi.
Shkrimi i plotë:
Ka kohë që nuk kam shkruar.
Por ngjarjet e fundit i kam përcjellë me shumë vëmendje dhe, mbi të gjitha, me shqetësim të madh. Fillimisht si qytetare, pastaj si artiste dhe, për një periudhë, edhe si deputete.
Nuk di nga t’ia filloj. Ndoshta nga perspektiva ime, nga krejt ajo që kam parë dhe përjetuar nga afër.
Kur je jashtë, shumë gjëra i sheh ndryshe. I thua vetes: “Kadale, ndoshta nuk i dimë krejt, ndoshta po paragjykojmë.” Por kur hyn brenda dhe e sheh se si funksionojnë gjërat, zhgënjehesh.
Të dhemb kur sheh se si shteti trajtohet sikur të jetë një lojë. Kur interesat personale shpesh dalin përpara interesit të qytetarit. Kur sheh njerëz të udhëhequr nga frustrimet e veta, njerëz që zvarriten pas një pozite, njerëz që brenda pak sekondash e ndërrojnë fjalën dhe që, në vend të përgjegjësisë, merren më shumë me dukjen, me prezencën dhe me vizitat te kolegët.
E qytetari?
Për qytetarin, shpesh duket se nuk ka vend.
Kjo është ajo që më dhemb më së shumti.
Mbrëmë isha në koncertin e madh të Ermonela Jahos. Dhe, për disa orë, e harrova krejt këtë zhurmë. E dëgjova muzikën, e pashë artin dhe thashë me vete: Shyqyr që ekziston kultura. Shyqyr që ekziston muzika. Dhe sa me fat jam që jam pjesë e kësaj bote.
U mbusha me pak qeliza të mira. Me energji. Me shpresë.
Ndërkohë, në Kuvendin tonë po ndodhnin çudira.
E këtu vij te partia ime.
Zemra më dhembi fort.
Sepse dashuria për një parti nuk duhet të jetë më e madhe se dashuria për parimet që ajo parti thotë se i përfaqëson.
Nëse nuk kthjelleni, nëse nuk tregoni se dini të merrni vendime, të jeni konsistentë në atë që mendoni se është e drejtë, të këmbëngulni kur duhet dhe të lini anash inatet personale e pazaret e vogla; nëse nuk i afroni njerëzit dhe nuk e kuptoni se askush nuk fiton duke i larguar njerëzit e vet, atëherë do të shkoni aty ku nuk dëshiron askush që ju ka besuar.
Këtë nuk po e them nga inati.
Po e them sepse më dhemb.
Dhe ndoshta pikërisht sepse më dhemb, nuk mund të hesht.
Për Presidenten Justina Shiroka-Pula, uroj shëndet, punë të mbarë dhe forcë për ta përmbyllur mandatin me dinjitet.
Pas gjithë kësaj që kemi kaluar, çdo ditë që Kosova zgjohet pa një tjetër krizë, pa një tjetër përplasje dhe pa një tjetër frikë për zgjedhje të reja, është një ditë e fituar për qytetarin.
Ky popull është lodhur.
Jemi lodhur të gjithë.
Tani na duhet qetësi, përgjegjësi dhe punë.
Partia ime, Zoti të ndihmoftë. Por mbi të gjitha, kthjellohu.





