Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se partia që ai drejton është duke përgatitur programin e ri politik.

Abdixhiku ka thënë se është rritur mbështetja e qytetarëve ndaj LDK-së dhe se tani është krijuar një realitet i ri i skenës politike në vend.

“Pjesëmarrja e qytetarëve në kaq masë, është tashmë tregues i qartë mbi mbështetjen e rritur dhe në rritje ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo pjesëmarrje, dhe të tjerat që do t’i kemi në javët e muajt në vijim, dëshmojnë për një realitet të ri të skenës politike në vend. Qytetarët tanë, njerëzit e Kosovës, po njohin qartë potencialet tona, po njohin qartë energjinë e re dhe po e njohin qartë ndryshimin e shumëkërkuar që në LDK tashmë ka zënë vend”, ka shkruar ndër të tjera Abdixhiku.

Postimi i plotë:

Sot, nga Gjilani, nisëm takimet me struktura e qytetarë tanë nëpër gjithë Kosovën. Nisëm nga Konventa Programore e degës sonë në Gjilan, për të vazhduar në çdo lagje, fshat e qytet të Kosovës.

Pjesëmarrja e qytetarëve në kaq masë, është tashmë tregues i qartë mbi mbështetjen e rritur dhe në rritje ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo pjesëmarrje, dhe të tjerat që do t’i kemi në javët e muajt në vijim, dëshmojnë për një realitet të ri të skenës politike në vend. Qytetarët tanë, njerëzit e Kosovës, po njohin qartë potencialet tona, po njohin qartë energjinë e re dhe po e njohin qartë ndryshimin e shumëkërkuar që në LDK tashmë ka zënë vend.

Njerëz të rinj, profesionistë të rinj, burra e gra më të mirë të vendit po i bashkohen lidhjes sonë politike. Të tjerë në vijim, më të mirët e vendit, do të vazhdojnë të na bashkëngjiten. Të tillët, dhe qytetarët e tjerë që u vihen atyre pas, janë duke e kuptuar se Lidhja Demokratike e Kosovës është opsioni i vetëm politik në vend; dhe kjo mbështetje, ky ndryshim, kjo energji e përbashkët e jona nuk do të ndërpritet për asnjë moment. Hapja jonë, përmirësimi ynë, respektimi i vlerave të mira e të drejta brenda partisë, vënia në pah e resurseve më të mira njerëzore që i kemi si parti, do të vazhdojë me këmbëngulësi.