Është Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, por Haki Abazi në konferencën e tij për shtyp bëri të ditur se ka pak komunikim me Ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvallën, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Këtë e tha Abazi kur u pyer anëtarësimin eventual të Kosovës në OKB, përçka ai u përgjigj për gazetarë duke thënë se “për besë ju si gazetarë mund të flisni më shpesh me Ministren për Punë të Jashtme se sa unë që jam kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme”.
Pyetur se si e komenton dorëheqjen e Ministrin të Shëndetësisë, Rifat Latifi, Abazi tha se “nuk kam asnjë informacion për këtë”.
Abazi i cili doli solo në konferencë për media dhe i cili kohëve të fundit është përfolur për pakënaqësi brenda partisë tha se “jo nuk po dal nga Lëvizja Vetëvendosje”, por shtoi se “unë nuk jam as i heshtur dhe as spektator”.
Deputeti Abazi, i cili në Qeverinë e parë të Kurtit ishte zv/kryeministër, ndërsa tani, sipas komentuesve politikë më i margjinalizuar në skenën politike, nuk ishte pa ankesa ndaj Shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lilës, për të cilën Abazi nuk e la pa e potencuar se “nuk vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje”.
Abazi foli për një numër nismash që personalisht i ka inicuar por që s’janë realizuar, duke aluduar në këtë mosvullnetshmëri, dhe mori si shembull edhe dorëheqjen e tij nga pozita e kryesuesit të komisionit hetimor për energji, pasi siç tha ai, nuk i ishte krijuar hapësirë.
“Më është pamundësuar të kryej rolin tim përmbajtësor brenda komisionit”.
Në cilësinë e kryetarit të komisionit për punë të jashtme, Haki Abazi, kërkoi që proceset integruese evropiane të Kosovës të ndahen nga Dialogu i Brukselit për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ngase siç tha ai, ndërmjetësi Miroslav Lajçak po e mban edhe peng çështjen e regjimit të vizave për Kosovën.






