Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë ka përpiluar mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë Kurti 2.Kështu ka njoftuar sot shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Ai ka thënë se janë në diskutim me dy partitë tjera opozitare PDK dhe LDK për këtë mocion.
“Mocionin e kemi nis e kemi përpiluar, do të jetë në diskutim me dy partitë opozitare për t’i dhënë komentet e tyre në draft. Është mocion që është duke ecur, do të shohim se kur do të vendoset. Është reflektim i eksperimentimit që e ka bërë kryeministri në atë pjesë të vendit” – ka thënë Tahiri.
Sa i përket situatës së krijuar në veri, Tahiri u shpreh se Lista Serbe e as presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, s’mund të kushtëzojë Kosovën “pasi ne kemi shtet, institucione e parlament”.
“Lista Serbe nuk është në pozicion të kushtëzojë Kosovën, e as Vuçiqi. Ne kemi shtet, institucione e parlament. Ne si Aleancë kemi qenë tepërt të sinqertë me këtë Qeveri. Jemi të vetmit që kemi dalë e kemi thënë kryeministër mos hy në zgjedhje se po hyn në një eksperiment që nuk mund t’i dalësh në krye. Ndodhi ajo që u tha”, shtoi ai.
Sipas Tahirit, “mësimi i nxjerr nga ky proces ishte që në temat për sovranitet, duhet të ketë komunikim serioz”.
Nga e hëna serbët në veri janë duke protestuar për të kundërshtuar idenë që kryetarët e rinjë të ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale.Ata po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.
Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, por u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb.
Pjesëmarrja, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pak më shumë se 3 për qind.Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, kishte bërë thirrje për bojkotim të këtyre zgjedhjeve.