Në institucionet arsimore po mbahet sot grevë dy orëshe.

Arsyeja e grevës ka të bëjë me pakënaqësitë lidhur me vendimin e Kushtetueses për pezullimin e Ligjit të Pagave, shkruan lajmi.net.

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jashari, për lajmi.net ka folur lidhur me mundësitë që arsimi të hyjë në grevë të përgjithshme.

Ka thënë se është ende herët të flitet për këtë çështje, por se ka paralajmëruar se do të respektohet vendimi i nxjerrur nga Këshilli Drejtues i SBASHK-ut.

“Jemi duke përcjellur rrjedhën e grevës së sotme paralajmëruese, dhe pastaj kryetarët e niveleve komunale do të bashkëbisedojnë me punëtorët e arsimit, tutje do ta thërrasim Këshillin Drejtues dhe do ta bëjmë një analizë. Ashtu siç vendos Këshilli Drejtues, do të jemi të obliguar t’i respektojmë vendimet e tyre, pra është herët të flitet për vendimet tjera sepse varet nga Këshilli Drejtues. Ne do ta shohim si do rrjedh greva paralajmëruese”, ka thënë Jashari.

Po ashtu, ai ka bërë të ditur se mbi 95% e institucioneve arsimore i janë përgjigjur grevës paralajmëruese, dhe se vendimi final mbi veprimet e rradhës sindikale do të merret javën e ardhshme.

“Raportet thonë se mbi 95 % e institucioneve arsimore i janë përgjigjur grevave paralajmëruese. Javën e ardhshme do të bisedojmë me anëtarësinë për të ditur se cilat do të jenë vendimet dhe çka do të bëjmë tutje”, ka thënë në fund Jashari.

Kujtojmë, se në grevë nga dita e sotme përveq punëtorëve të arsimit janë edhe ata të shëndetësisë dhe policia.