Kryeministri Albin Kurti ka thënë se kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me ShBA-në dhe BE-në për dy vendimet lidhur me masën e reciprocitetit për letërnjoftimet dhe targat.

Megjithatë, ai thotë se një pjesë e madhe e zhvillimeve është kushtëzuar nga veprimet e strukturave ilegale të Serbisë që kanë bllokuar rrugët që të çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak.

“Së pari ne kemi qenë vazhdimisht në komunikim me partnerët, aleatët dhe miqtë tanë evropianë dhe amerikanë. Mirëpo pjesa më e madhe e zhvillimeve ka qenë e kushtëzuar nga veprimet kriminale dhe agresive të bandave që praktikisht si struktura ilegale të Serbisë dolën nëpër rrugët e Kosovës. Jo gjithçka ne kemi mundur ta parashikojmë, mirëpo ne e kuptojmë brengën e ShBA-së dhe BE-së për fushatën e madhe të dezinformimit që është bërë për dy vendimet. Për këtë arsye do ta vazhdojmë fushatën e informimit dhe gjithashtu shpresojmë në mbështetjen perëndimore dhe demokratike që t’i luftojmë dezinformatat. Jen të vetëdijshëm që qytetarët e përkatësisë serbe kanë qenë të bombarduar prej lajmeve të rreme nga Serbia se si në Kosovë po përgatitet diçka që kur nuk e quanin “Oluja” e quanin “ferr”. Qytetarët serbë në Kosovë i janë nënshtruar një fushate të egër dezinformuese. Kjo ka qenë brenga e ShBA-së dhe BE dhe ne e kuptojmë këtë brengë. Do ta vazhdojmë fushatën e informimit dhe gjithashtu i kemi ditët e këtij muaji drejt 1 shtatorit, por natyrisht me kushtin që lëvizja e lirë do të mundësohet gjithandej nëpër rrugët e veriut të Kosovës”.

Shefi i qeverisë kosovare ka treguar se pse dje deklaroi se “orët e ditët e javët në vijim mund të jenë sfiduese e problematike”, njofton Klankosova.tv.

“Me këto banda kriminale që bllokojnë rrugë më barrikada fizike natyrisht që ka probleme dhe sfida, por forca e ligjit e shtetit së të drejtës, rendi demokratik kushtetues nuk mund ta tolerojë këtë dhunë dhe agresion andaj që ky problem është një sfidë për neve, por jemi të bindur që me kapacitetet tona, vullnetin që kemi në institucione, mbështetjen e madhe popullore dhe shoqërore dhe në bashkërendim me aleatët dhe partnerët tanë perëndimorë demokratikë do ta tejkalojmë me sukses edhe këtë sfidë. Kjo sfidë nuk kalohet për një ditë, mirëpo do të punojmë dhe angazhohemi me krejt çfarë dimë e kemi”.