Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare në Kosovë kanë ‘dridhur’ edhe qeverisjet lokale nëpër komuna.

Kjo pasi në shumë qytete ku qeverisin parti të ndryshme, në zgjedhjet qendrore kanë dalur fituese parti të tjera.

Në Mitrovicë e cila është në qeverisjen e Vetëvendosjes tani pasi Agim Bahtiri ka kaluar në Vetëvendosje ka fituar Partia Demokratike e Kosovës në zgjedhjet qëndrore.

Gjilani i Lutfi Hazirit ka zgjedhur Vetëvendosjen përpara LDK-së, e Prishtina e Shpend Ahmetit gjithashtu ka zgjedhur Vetëvendosjen.

Këto dhe komuna të ndryshme kanë paraqitur një shembull se zgjedhjet lokale dhe qëndrore ndryshojnë në votë.

Por sa mund të ndikojnë zgjedhjet qendrore në ato lokale?

Analisti dhe njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani për lajmi.net është shprehur se kjo është praktikë e njohur pasi qeverisja qendrore ndikon në atë lokale.

Por, sipas tij, nuk është shumë prezente kohët e fundit.

“Kjo është praktikë e njohur që në komunat ku qeverisin partitë opozitare dhe jo partitë që janë në pushtet në nivelin qëndror – të shpërndahen më pak fonde, projekte dhe të tjra, por janë më të kufizuara sesa mendohet, për shkak që ka komuna të cilat nuk janë në partitë në pushtet, marrin projekte ma shumë, shembull, Gjilani është me LDK, por në kohën e Haradinajt ka marrë më shumë fonde”, tha Ramadani për lajmi.net.

Më tutje, Ramadani tha se vërehet tendenca që partitë që janë në pushtetin qëndror komunikojnë më mirë me komunat në të cilat qeverisin njerëzit e partive të tyre.

Kosova do t’i ketë zgjedhjet lokale në vitin 2021 kur edhe kalon mandati i kryetarëve aktual të komunave, ndërsa vetëm atëherë mund të vërtetohet nëse zgjedhjet qendrore do t’i ndikojnë ato lokale.