Policia e Kosovës ka arrestuar pas mesnate një person të dyshuar, që tentoi t’i korruptojë zyrtarët policorë duke ua ofruar 20 euro derisa ata donin t’i shqiptonin një tiketë për shkelje të rregullave të komunikacionit, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Hanan Mukovcin, një 18 vjeçar i cili fillimisht u ndalua për shkak të shkeljes së rregullave të trafikut dhe derisa zyrtarët policorë po ia shqiptonin tiketën për kundërvajtje, i njëjti ua kishte ofruar 20 euro me qëllim që të mos e dënojnë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ai ka tentuar që kartëmonedhën e 20 eurove t’ia fusë në xhep policit, duke iu drejtuar me fjalët “A kryjnë punë qito”.

Zyrtarët policorë e kanë arrestuar menjëherë të dyshuarin, dhe më pas e kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit me vendimin e të cilit i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48 orë për veprën penale “Dhënie ryshfeti”.

Shënim: Personi i apostrofuar në ë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.