Coronavirusi i ri (COVID-19) ka infektuar më shumë se 3,8 milionë njerëz në gjithë botën dhe ka vrarë gati 270 mijë që kur rastet e para u raportuan në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar, por kronologjia e përhapjes së virusit mund të ketë qenë ndryshe sipas disa studimeve të fundit, shkruan Anadolu Agency.

Më 31 dhjetor 2019, autoritetet kineze njoftuan Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për disa raste të një pneumonie të pazakontë në Wuhan. Virusi atëherë ishte i panjohur.

Në janar, Kina konfirmoi që një lloj i ri i coronavirusit kishte filluar të përhapej, me 41 raste të konfirmuara midis 8 dhjetorit 2019 dhe 2 janarit, kryesisht të lidhura me një treg ushqimesh deti në Wuhan.

Pasi virusi u përhap në vende të tjera, përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut, Tajvanin dhe SHBA-në, OBSH shpalli emergjencë globale shëndetësore më 30 janar.

Më 24 janar, rastet e para të coronavirusit në Evropë u konfirmuan në Francë.

Megjithatë, kjo kronologji mund të azhurnohet, sipas një artikulli të botuar nga një revistë shkencore në Francë më 3 maj.

“Rasti i parë në Francë daton në dhjetor”

Një studim i botuar në “International Journal of Antimicrobial Agents” sugjeron që COVID-19 tashmë ishte përhapur në Francë në fund të dhjetorit.

Mjekët në një spital në veri të Parisit kanë rishikuar mostrat retrospektive të 14 pacientëve të trajtuar për pneumoni jotipike ndërmjet 2 dhjetorit dhe 16 janarit.

Ata kanë përfshirë mostrën e një algjeriani 42-vjeçar, pa histori udhëtimi në Kinë. Kur mjekët kanë rishikuar mostrën e tij të vjetër, ajo ka rezultuar pozitive në coronavirusin e ri.

“Mungesa e një lidhjeje me Kinën dhe mungesa e udhëtimeve të kohëve të fundit sugjerojnë se sëmundja tashmë po përhapej në popullatën franceze në fund të dhjetorit 2019”, kanë shkruar ata.

Pacienti u shtrua në spital më 27 dhjetor. Ai ka punuar si peshkatar në Francë për shumë vite dhe bëri udhëtimin e tij të fundit për në Algjeri në gusht të vitit 2019.

Amirouche Hammar, “pacienti zero” i Francës, ka folur për mediat franceze pas publikimit të studimit.

Ai tha se nuk ishte larguar nga Franca përpara se të sëmuret.

Gruaja e Hammar, e cila punon në një aeroport, tha që mendon se ka mundësi që ajo të jetë infektuar me virusin nga pasagjerët.

Mediat franceze gjithashtu raportuan se raste të tjera me simptoma të rënda të frymëmarrjes janë shfaqur në mes të janarit.

Christian Lindmeier, zëdhënës i OBSH-së, tha të martën se raportet në lidhje me rastet e hershme në Francë nuk janë “befasuese”, duke inkurajuar edhe vendet e tjera të hetojnë çdo rast tjetër të mëparshëm.

“Infektimi i parë ndodhi në shtator”

Ndërkohë, një studim i publikuar muajin e kaluar nga Universiteti i Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar solli një konstatim të ngjashëm, duke sugjeruar që virusi mund të ketë qenë duke qarkulluar edhe para dhjetorit.

“Edhe pse duhet ende të shqyrtohet, puna e fundit sugjeron që infeksioni i parë dhe përhapja në mesin e njerëzve e SARS-CoV-2 ndodhi në mes të shtatorit dhe fillimit të dhjetorit”, tha universiteti në një deklaratë më 9 prill.

Për ta shpjeguar origjinën e virusit, ekspertët e gjenetikës nga Britania dhe Gjermania kanë analizuar 160 gjenome të plota të virusit të rendituara nga pacientët midis 24 dhjetorit dhe 4 marsit.

Studimi zbuloi tri variante të COVID-19, të cilat ata i etiketuan si A, B dhe C.

Sipas studimit, tipi A, “gjenomi origjinal i virusit njerëzor”, ishte i pranishëm në Wuhan, por çuditërisht nuk ishte tipi mbizotërues i virusit në këtë qytet. Në vend të kësaj, tipi A u gjet te pacientët në SHBA.

Duke folur me AA në një intervistë online, Dr. Peter Forster nga Universiteti i Kembrixhit tha që varianti i tipit A është më i zakonshëm jashtë Wuhanit.

“Për mua, në shikim të parë, nuk më duket sikur të jetë Wuhani apo ky treg peshqish në Wuhan, i cili shpesh përmendet në lajme. Nuk më duket si kandidati më i mirë për origjinën e sëmundjes”, tha ai.

“Më duket se ekziston ajo zona jashtë Wuhanit, ndoshta në jug të Wuhanit, ku gjeni një përqindje më të lartë të këtyre tipeve të hershme A”, shtoi Forster.

A u fshehën rastet e para?

Gjersa origjina e coronavirusit po debatohet gjerësisht, disa njerëz akuzojnë qeverinë kineze se është vonuar në informimin e botës për shpërthimin e COVID-19, duke lejuar që virusi të përhapet.

Autoritetet kineze janë kritikuar gjithashtu për përndjekje të disa mjekëve që u përpoqën të informonin kolegët e tyre për rreziqet e coronavirusit të ri.

Kina, nga ana tjetër, i mohon të gjitha këto akuza.

“Asnjëherë nuk ka pasur ndonjë fshehje dhe as nuk është lejuar asnjëherë fshehje”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian para gazetarëve në një konferencë të përditshme më 17 prill.

Ndërsa shkencëtarët në gjithë botën po punojnë për të siguruar një pasqyrë më të mirë mbi origjinën e virusit, të quajtur zyrtarisht SARS-Cov-2, informacione të tjera rreth rasteve të hershme pashmangshmërisht do të dalin në dritë.

Si do që të jetë, shumë njerëz pohojnë se mijëra jetë mund të ishin shpëtuar nëse qeveritë do të vepronin shpejt.