Megjithëse Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës (SBASHK), në vazhdimësi ka bërë thirrje që greva të mos ndërprehet pasi nuk ka akoma marrëveshje, mësimi në disa shkolla të Podujevës veçse ka filluar sot, shkruan Insajderi

Gazeta Insajderi ka kontaktuar me drejtorin e drejtoratit të Arsimit në komunën e Podujevës, Avni Fetahun, dhe i njëjti pohoi se mësimi ka filluar pjesërisht.

“Shkollat fillore janë duke punuar me një numër të vogël të mësuesve deri në dy apo tre, si dhe me nga 30 apo 40 nxënës. Ndërsa, arsimtarët nga klasa e gjashtë deri në të nëntën kanë një hezitim në lëndë të caktuara”, tha Fetahu për Insajderin.

Në anën tjetër, Fetahu konfirmoi se nxënësit kishin shkuar edhe në shkollat e mesme, por, mësimdhënësit nuk e zhvilluan mësimin.

Kurse në shkollat profesionale janë afro 12 profesor që po punojnë.

“Në gjimnaz kishte nxënës por asnjë profesor nuk e zhvilloi mësimin, ndërsa në shkollat profesionale ka nxënës më pak por janë deri 10 deri në 11 profesorë që punojnë”, tha tutje Fetahu.

Përpara se shkollat e Podujevës të bëjnë thirrjen që nxënësit t’i kthehen mësimit, shkollat në Gjakovë u bënë të parat që thyen grevën e nisur nga 24 gushti i këtij viti.

Insajderi ka kontaktuar gjatë ditës së djeshme edhe me Kryetarin e Sindikatës komunale të Arsimit Fillor dhe Arsimit të Mesëm në Podujevë, Fadil Halimi, dhe i njëjti apeloi mësimdhënësit që ta respektojnë grevën e nisur.