Kushtetuta e Kosovës garanton pjesëmarrjen në Qeverinë e Kosovës të përfaqësuesve politikë të komuniteteve pakicë, përfshirë edhe ata të komunitetit serb. Megjithatë, këta të fundit, të cilët vijnë nga radhët e Listës Serbe, e cila në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë ka marrë shumicën e votave të komunitetit serb, në formë deklarative mohojnë shtetin e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka dalë e para me votat e fituara në zgjedhjet e 6 tetorit dhe është duke synuar krijimin e një koalicioni qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ka përjashtuar mundësinë e përfshirjes në një koalicion qeverisës edhe të Listës Serbe.

Megjithatë, ajo ka bërë të ditur se do ta respektojë Kushtetutën e Kosovës, kur bëhet fjalë për përfaqësimin e komunitetit serb në qeverisjen e vendit.

Mimoza Kusari-Lila, pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, që do të jetë në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se rregullat e lojës për pjesëmarrje në Qeverinë e Kosovës, por edhe në institucionet tjera të vendit, janë të qarta.

Siç thotë ajo, në secilin institucion janë stemat e Republikës së Kosovës, që duhet të respektohen dhe të gjitha vendimet merren sipas rregullave, ligjit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Këtyre rregullave, sipas saj, do t’iu nënshtrohen edhe ata përfaqësues të caktuar politikë, të cilët në mënyrë verbale mohojnë shtetin e Kosovës dhe ushqejnë gjuhën, e cila, siç thotë ajo, në Kosova ka qenë e pranishme që nga koha e regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

“Pra, duke filluar nga aspekti formal, siç janë stema, mbishkrimet, letër-shkresat që vijnë ose shkojnë, korrespondencat e ministrisë apo edhe kabinetit të ministrit, e deri te zbatimi i ligjeve. Nuk mund ose nuk duhet askush të jetë në pozitë të tillë, i emëruar, në rast se e mohon apo injoron ekzistencën e Republikës së Kosovës”, thotë Kusari-Lila.

Politikania serbe nga Graçanica, Rada Trajkoviq, ish-deputete e Kuvendit të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se pjesëmarrja ose jo e përfaqësuesve politikë të komunitetit serb në Qeverinë e Kosovës, për shkak se nuk e njohin shtetin e Kosovës, sipas saj, nuk duhet të jetë çështje, e cila duhet të pengojë ndërtimin e Kosovës, në mënyrën që të gjithë të jetojnë të lirë aty.

Sipas saj, komuniteti serb, nuk ka zgjidhje tjetër, përveçse të marrë pjesë në institucionet e Kosovës, përshirë edhe në Qeveri.

“Në rast se shteti i Serbisë do të dëshironte që serbët të mos jenë pjesë e institucioneve (në Kosovë), do të duhej ta shpallte Kosovën të okupuar. Okupimi i ka principet dhe mënyrat e veta të funksionimit. Marrë parasysh që nuk e ka bërë këtë, është krejtësisht normale që brenda këtyre institucioneve, serbët të marrin pjesë, pa shkeljen e të drejtave. Për mua është kjo kryesorja, sepse edhe po të më detyronin që ta pranoj shtetin që nuk më sheh si qytetar të barabartë, ky do të ishte problem”, thotë Trajkoviq.

Megjithatë, Kusari-Lila thotë se përvojat e deritashme kanë treguar se në shumicën e rasteve, përfaqësuesit politikë të komunitetit serb, pavarësisht retorikës mohuese, në praktikë nuk e kanë mohuar shtetin e Kosovës.

“Jam e bindur që në aspektin privat, ata të gjithë e dinë se ekzistenca e shtetit të Kosovës është fakt i pamohueshëm. Natyrisht se bëhet për konsum politik ajo çfarë konsiderohet se ende mund të shtyhet para si delegjitimim i shtetësisë së Kosovës. Megjithatë, askush që ka ndonjë problem me vetë- ekzistimin e shtetit të Kosovës, nuk duhet të synojë apo të pretendojë të mbajë post në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovës”, vlerëson Kusari-Lila.