Një zyrtar policor ka raportuar se e kishte harruar armën zyrtare në një pompë derivatesh në Shkabaj, ndërsa më pas dikush e kishte marrë atë.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur të hënën, rreth orës 16:30, në objektin e Hib Petrol.
Pas shqyrtimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë, policia ka identifikuar të dyshuarin, një mashkull kosovar, i cili më pas është ftuar për intervistim.
I dyshuari ka pranuar se e kishte marrë armën me qëllim që ta raportonte më vonë. Pas intervistimit, arma është sekuestruar.
Me udhëzim të prokurorit, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë” dhe do të vazhdojë në procedurë të rregullt.






