Nëntë dyer të thyera, dy sefe të zbrazura dhe plot 275 mijë e 300 euro të vjedhura. Ky është bilanci i një vjedhjeje të rëndë që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës në kompaninë “M-Technologie”, në rrugën Podujevë – Prishtinë, në fshatin Lebanë.
Hajnat kanë goditur objektin e kompanisë më 23 nëntor, në intervalin kohor ndërmjet orës 02:00 dhe 04:30 të mëngjesit.
Personat ende të paidentifikuar fillimisht kishin thyer derën e hyrjes së objektit, ndërsa pasi kishin depërtuar brenda, kishin vazhduar me thyerjen e tetë dyerve të zyrave të ndryshme të kompanisë.
Cak i vjedhjes ishin dy sefe me shuma të konsiderueshme parash, që ndodheshin në zyrën e zëvendësdrejtorit dhe në atë të kontabilitetit.
Vetëm nga sefi në zyrën e zëvendësdrejtorit, hajnat kishin arritur të merrnin 100 mijë euro para të gatshme. Në zyrën e kontabilitetit, ata kishin goditur edhe sefin tjetër, nga i cili kishin marrë plot 175 mijë e 300 euro.
Brenda një intervali prej dy orësh e gjysmë, autorët kishin arritur të largoheshin me gjithsej 275 mijë e 300 euro, duke lënë pas nëntë dyer të thyera.
Rasti është denoncuar në Polici rreth orës 04:30 të mëngjesit nga Rrustem Pacolli, rreth 48 vjeç.
Menjëherë pas raportimit, në objektin e “M-Technologie” kanë zbarkuar njësitë policore të Stacionit Veriu në Prishtinë, ndërsa për shkak të përmasave të vjedhjes, në rast janë angazhuar edhe njësitë përkatëse rajonale.
Për ngjarjen është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili e ka cilësuar rastin si “Vjedhje e rëndë”.
Hajnat që arritën të largoheshin me afro 300 mijë euro para të gatshme ende nuk janë identifikuar, ndërsa Policia po zhvillon hetimet për kapjen e tyre.






