Gjykata Themelore në Kumanovë ka shpallur fajtor Ardi Saitin, duke e dënuar me tre muaj burgim për veprën penale që lidhet me nxitjen e urrejtjes, përçarjes apo jotolerancës mbi baza kombëtare, racore, fetare dhe baza të tjera diskriminuese.
Sipas aktgjykimit të datës 9 tetor të këtij viti, ngjarja ka ndodhur më 28 nëntor 2025, rreth orës 21:45, në Kumanovë, gjatë festimit të Ditës së Flamurit Shqiptar, raporton IndeksOnline.
Në aktgjykim thuhet se Ardi, 19-vjeçar, ishte pjesë e një kolone prej rreth 20 automjetesh, të organizuar me rastin e festës së 28 Nëntorit.
Ai, si bashkudhëtar në një automjet të markës „Ford“, përmes dritares kishte ekspozuar flamurin e ashtuquajtur „Shqipëria e Madhe“, si dhe flamurin e UÇK-së.
Sipas përshkrimit në aktgjykim, këto veprime kishin shkaktuar vëmendje, shqetësim dhe reagime te qytetarët e pranishëm të komunitetit tjetër etnik.
Gjykata e ka shpallur Saitin fajtor në bazë të nenit 319, paragrafi 1, të Kodit Penal, duke i caktuar dënim prej tre muajsh burgim.
Aktgjykimi është nxjerrë në bazë të pranimit të fajësisë nga i pandehuri.
Një shqiptar në Maqedoni të Veriut ka thënë për IndeksOnline se shteti po e ndërmerr këtë masë për të frikësuar shqiptarët që të mos festojnë 28 Nëntorin.






