Astrit Haraqia, i arrestuar në kuadër të operacionit antidrogë “Heshtja”, ka mohuar përfshirjen në veprimtarinë e dyshuar kriminale. Sipas informacioneve të siguruara nga Gazeta Sinjali, ai ka bashkëpunuar plotësisht me hetuesit, duke ua vënë në dispozicion edhe fjalëkalimet e telefonave të tij.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se gjatë kontrollit në shtëpinë e Haraqisë nuk është gjetur ndonjë substancë narkotike apo send tjetër i dyshimtë që do ta lidhte drejtpërdrejt me veprimtarinë për të cilën po zhvillohen hetimet.
Megjithatë, gjatë bastisjes janë sekuestruar 7 mijë euro para të gatshme, për të cilat Haraqia ka deklaruar se u përkasin fëmijëve të tij.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, Haraqia ka pranuar se ka njohje dhe miqësi shumëvjeçare me njërin prej personave të arrestuar në këtë operacion, por ka mohuar çdo lidhje me veprimtarinë e dyshuar të trafikimit apo shpërndarjes së narkotikëve.
Operacioni “Heshtja” është zhvilluar më 14 nëntor në rajonin e Prishtinës, ku janë arrestuar disa persona dhe janë sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, automjete luksoze dhe para të gatshme.
Bashkëpunimi i Haraqisë me hetuesit dhe dorëzimi i fjalëkalimeve të telefonave janë ndër veprimet e raportuara gjatë procedurës hetimore, ndërsa përmbajtja e pajisjeve dhe provat e tjera mbeten objekt i vlerësimit nga organet kompetente.
Haraqia ka mohuar çdo përfshirje në veprat penale për të cilat po zhvillohen hetimet dhe gëzon prezumimin e pafajësisë.






