Në procesverbalin e inspektimit, inspektorët kanë konstatuar mospërputhje mes çmimit të deklaruar në raft dhe shumës që konsumatorët duhej të paguanin në arkë për produktin “Detergjent Persil”.
Sipas arsyetimit të vendimit, çmimi i këtij produkti në raftin e marketit ishte 9.99 euro, ndërsa me zbritje ishte vendosur në 6.49 euro. Megjithatë, në arkën fiskale, çmimi përfundimtar i pagesës rezultonte të ishte 8.99 euro.
Inspektorati ka vlerësuar se një veprim i tillë është në kundërshtim me nenin 26, paragrafët 7 dhe 8, të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Në arsyetimin e vendimit theksohet se çmimet e deklaruara, të publikuara dhe të vendosura në raft, të cilat u ofrohen konsumatorëve për shitje, nuk lejohen të kenë dallime nga çmimi që paguhet në arkën fiskale.
Për këtë shkelje, “DURMART” L.L.C. është sanksionuar në bazë të nenit 137, pika 1.1, paragrafi 1.11, të po këtij ligji.
Me vendimin e Inspektoratit, operatori ekonomik është obliguar të paguajë gjobën në shumën prej 1 mijë eurosh, brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e pranimit të vendimit.
Megjithatë, në vendim parashihet edhe mundësia e lirimit nga pagesa e 50 për qind të shumës së gjobës, nëse operatori ekonomik e paguan atë brenda afatit të përcaktuar.
Ndërkaq, në rast se gjoba nuk paguhet brenda afatit të përcaktuar, ndaj operatorit ekonomik do të ndërmerren masa të tjera ligjore për ekzekutimin e saj.
Në pjesën e këshillës juridike, Inspektorati ka bërë të ditur se pala e pakënaqur ka të drejtë të ushtrojë ankesë me shkrim pranë Kolegjit për Shqyrtimin e Ankesave në MINT, brenda afatit prej 30 ditësh nga dita e pranimit të vendimit.
Insajderi ka dërguar pyetje në adresë të operatorit ekonomik “DURMART” L.L.C., lidhur me këtë vendim dhe shkeljen e konstatuar nga Inspektorati, por deri në publikimin e këtij materiali nuk ka pranuar ndonjë përgjigje./Insajderi.org/







