Një ligjëratë e Policisë në një shkollë të Podujevës ka nxjerrë në pah një rast të rëndë, për të cilin është iniciuar hetim penal. Një nxënëse 14-vjeçare u ka treguar zyrtarëve policorë se gjatë muajit gusht ishte ngacmuar seksualisht nga dy persona, mëson Gazeta Sinjali.
Rasti është raportuar të hënën, më 9 nëntor, rreth orës 10:00, pasi zyrtarët policorë kishin përfunduar një ligjëratë në një shkollë të mesme të ulët në komunën e Podujevës.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, e mitura ka deklaruar para policëve se ngjarja kishte ndodhur gjatë muajit gusht të këtij viti dhe se në të ishin përfshirë dy persona.
Pas marrjes së informacionit, janë njoftuar hetuesit rajonalë, të cilët kanë ndërmarrë veprimet fillestare për trajtimin e rastit.
Vajza është intervistuar në prani të përfaqësuesit të Qendrës për Punë Sociale dhe Mbrojtësit të Viktimave, në përputhje me procedurat për trajtimin e të miturve.
Për rastin është njoftuar edhe Prokuroria kompetente për të mitur, e cila ka urdhëruar inicimin e hetimeve për veprën penale “Sulm seksual”.
Rasti është marrë në trajtim nga njësia përkatëse hetimore.






