Gjykata Themelore në Pejë i ka caktuar të martën, më 27 tetor, masën e paraburgimit Jeton Sylajt, nën dyshimin për veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”.
Sylaj, ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt, u paraqit para gjykatës pasi ndaj tij po zhvillohen procedura lidhur me këtë vepër penale, teksa ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.
Zekaj u vra mbrëmjen e 25 tetorit nga ish-kunati i saj, Albert Sylaj, pak pasi kishte raportuar në Polici për dhunë në familje.
Sipas vendimit të gjykatës, Arlinda gjatë deklarimit në Polici kishte raportuar se ishte kërcënuar nga ish-bashkëshorti. Ajo, duke iu drejtuar policëve, kishte pyetur: “A duhet me më vra mua Jetoni që ju policia atëherë ta arrestoni shizofrenin?”
Prokurori i shtetit, Argzon Hasi, ka kërkuar caktimin e paraburgimit, duke vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për këtë masë. Ai ka theksuar se ndaj Sylajt janë të hapura gjashtë raste penale, katër prej tyre të vitit 2026, dhe se ekziston rreziku që ai të arratiset nëse lihet në liri.
Ndërkaq, avokati mbrojtës, Gani Kelmendi, e ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë, duke pretenduar se klienti i tij nuk ka ushtruar dhunë fizike ndaj Arlindës. Ai ka kërkuar që gjykata të shqyrtojë mundësinë e caktimit të një mase alternative ndaj paraburgimit.
Gjatë seancës, Jeton Sylaj ka deklaruar se i vjen keq për atë që ka ndodhur dhe se është përpjekur ta parandalojë rastin tragjik. Ai ka përmendur gjithashtu se ka një fëmijë 12-vjeçar që, sipas tij, ka nevojë për kujdesin e tij.
Pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe pretendimeve të palëve, gjyqtarja e procedurës paraprake, Selvije Morina-Zejnaj, e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit.
Kundër këtij aktvendimi lejohet ankesë brenda 48 orësh.






