Gazetari i gazetës gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens, ka publikuar një analizë sa i përket programit të politikës së jashtme të lëvizjes studentore në Serbi, duke vlerësuar se qëndrimet e saj ndaj Kosovës, Rusisë dhe rajonit përputhen me nacionalizmin serb të presidentit Aleksandar Vuçiq dhe Partisë Progresive Serbe.
Në një seri prej tetë postimesh në rrjetin social X, Martens shkruan se, ndonëse zgjedhjet parlamentare në Serbi u përcaktuan kryesisht nga çështjet e brendshme, politika e jashtme do të jetë një sfidë e rëndësishme për qeverinë e re.
Sipas tij, programi i lëvizjes studentore përfaqëson një dokument të nacionalizmit dhe prapambetjes politike serbe, ndërsa zbatimi i tij do të nxiste pashmangshëm konflikte në rajon.
Martens thekson se lëvizja studentore jo vetëm që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por duket se nuk është e gatshme ta pranojë as shtetësinë e saj si një realitet.
Ai kujton se mosnjohja e Kosovës është e përfshirë në preambulën e Kushtetutës së Serbisë, por vlerëson se programi i studentëve shkon përtej këtij qëndrimi, duke krijuar përshtypjen se Beogradi mund të veprojë sipas dëshirës në të gjithë territorin e Kosovës.
“Programi thotë se Serbia do të ‘luftojë për Kosovën’, në mënyrë që ajo të mbetet pjesë e Serbisë, por nuk e sqaron se si do të zhvillohet kjo ‘luftë’”, shkruan Martens.
Ai vëren se në program Kosova cilësohet si “e ashtuquajtura Republika e Kosovës”, formulim që, sipas tij, është përdorur edhe nga Vuçiqi dhe partia e tij. Gazetari gjerman vë në pah edhe qëndrimin e lëvizjes studentore ndaj marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritura në vitin 2023 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
“Lëvizja, siç duket, dëshiron të kthejë mbrapsht edhe atë që është arritur tashmë. Duke iu referuar qeverisë së mëparshme dhe marrëveshjes Serbi-Kosovë për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, të arritur në vitin 2023 nën ndërmjetësimin e BE-së, në program thuhet: “Ne do t’i ndjekim penalisht të gjithë përfaqësuesit përgjegjës të regjimit për çdo vepër që lidhet me lidhjen dhe zbatimin e marrëveshjeve jokushtetuese, të cilat janë në dëm të Serbisë.”, shkruan Martens.
Martens thekson se programi nuk i njeh institucionet e Kosovës si qeveri të zgjedhura në mënyrë demokratike, por i përshkruan ato si “institucione të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë”.
Ai ngre gjithashtu pikëpyetje për përshkrimin si të përkohshëm të Universitetit të Serbisë në Mitrovicën e Veriut, duke pyetur nëse lëvizja synon ta zhvendosë atë në Prishtinë pa konsultime me institucionet e Kosovës.
Në analizën e tij, Martens thekson se lëvizja studentore synon të mbështetet në “partneritetin tradicional” me Rusinë për zgjidhjen e çështjeve të hapura që konsiderohen me interes të përbashkët.
Programi, sipas tij, kundërshton vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës dhe parasheh ruajtjen e qëndrimit të Serbisë për të mos vendosur masa kufizuese ndaj Federatës Ruse.
Njëkohësisht, lëvizja synon zgjerimin e partneritetit strategjik me Kinën, veçanërisht në ekonomi, infrastrukturë dhe investime në teknologji të lartë.
Po ashtu, Martens vëren se studentët kanë marrë pjesë në tubime nacionaliste në përvjetorin e Betejës së Kosovës të vitit 1389, por kanë heshtur në përvjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, të kryer nga forcat serbe në vitin 1995.
Sipas tij, këto qëndrime tregojnë se kjo gjeneratë ka përvetësuar më shumë nga atmosfera nacionaliste e krijuar gjatë 12 viteve të pushtetit të Vuçiqit sesa mund ta kuptojë vetë.
Në përfundim, Martens thekson se një program zgjedhor nuk nënkupton domosdoshmërisht se të gjitha premtimet e tij do të zbatohen, duke lënë të hapur mundësinë që lëvizja studentore të bëhet më pragmatike pasi të vijë në pushtet. Megjithatë, ai paralajmëron se nëse programi zbatohet në praktikë, Kroacia, Mali i Zi, Kosova dhe shumica boshnjake në Bosnjë e Hercegovinë mund të bashkohen në një formë bashkëpunimi kundër Serbisë.
“Rezultati nuk do të ishte çlirimi i Serbisë, por izolimi i saj”, shkruan gazetari gjerman.
Ai thekson se mosnjohja e pavarësisë së Kosovës është zgjedhje e Serbisë, por përpjekja për të rikthyer kontrollin serb mbi Kosovën do të kërkonte luftë.
“Por, për ta rikthyer kontrollin serb mbi Kosovën, serbët do të duhej të shkonin në luftë. Dhe këtë luftë, me siguri do ta humbnin. Përsëri”, përfundon Martens.






