Lokale - eSIMy

Anna Zhubi, shoqe e afërt e Arlinda Zekajt, e cila dyshohet se u vra nga ish-kunati i saj në Pejë, ka folur për raportin që kishte me të ndjerën dhe për atë që, sipas saj, Arlinda përjetonte në martesën e saj.

Në emisionin “Kosova Today”, Zhubi ka rrëfyer edhe për raportin e Arlindës me djalin e saj, Anikun, të cilin e ka përshkruar si një lidhje shumë të afërt mes nënës dhe të birit.

Mes lotësh, ajo ka folur edhe për frikën që, sipas saj, Aniku kishte nga babai i tij, Jeton Sylaj, si dhe për kërcënimet që ky i fundit ia bënte të birit kur ai shfaqte afërsi me nënën e tij.

“Kjo është një gjë që sot, përveç karakterit të Arlindës si person, se nuk e ka merituar një vdekje të tillë, kjo është një gjë që na lëndon sot edhe më shumë të gjithë ne, të gjithë ne që e kemi njohur Arlindën, dhe raportin e saj me Anikun. Ai ka qenë një raport që nuk e kam parë ndonjëherë. Unë jam nënë e katër fëmijëve dhe raportin që Arlinda e kishte me djalin, nuk mund të them se e kam të njëjtin. Arlinda ishte çdo gjë për Anikun, ishte frymë për Anikun. Aniku ishte frymë për Arlindën. Jetoni ka qenë pak më i rreptë me çunin, është munduar ta tregojë atë karakterin se duhet të jesh i rreptë për t’u bërë një djalë i mirë. Ndërsa Arlinda ka qenë e afërt, e dashur në çdo hap pas djalit të saj.

Edhe momentin se dikush vendosi, axha t’ia marrë jetën Arlindës, ai ia ka marrë jetën edhe nipit të vet. Unë nuk e di, nuk mund ta kuptoj, imagjinoj. Si mundet Aniku të bëjë jetë një minutë pa Arlindën? Ai i ledhatonte flokët Arlindës qysh si fëmijë i vogël, i shprehte falënderime për dashurinë, e kujdesin e vëmendjen që Arlinda i ka dhënë Anikut”, ka deklaruar Zhubi.

Ajo ka thënë se, nëse Aniku në ndonjë moment kishte shprehur se nuk dëshironte ta takonte nënën, kjo, sipas saj, lidhej me frikën që kishte fillimisht nga i ati e më pas nga axha.

“Nëse Aniku në ndonjë moment të vetëm ka thënë ‘nuk dua ta takoj’, ka qenë puna e frikës që ka pasur fillimisht nga i ati e pastaj nga axha. Aniku është rritur me frikë prej të atit të vet. Ai gjithmonë, në momentin që ia ka thirrur emrin atij, Anik, Aniku është vizatu para Jetonit me dridhje në zemër. Aniku ka pasur mbështetje tek Arlinda, gjithmonë dashurinë, kujdesin. Nëse në atë moment Aniku ka thënë se nuk dua ta shoh nënën, ka qenë vetëm nga frika ose për t’ia bërë qejfin të atit. Nuk është e mundur që Aniku, që ne e njohim, lidhjen që kishte me Arlindën, ai të mos dëshironte t’i afrohej”, ka thënë ajo.

Zhubi ka rrëfyer edhe për kërcënimet që, sipas saj, Jeton Sylaj ia bënte të birit kur ai shfaqte dashuri ndaj nënës së tij.

“Si çdo baba, si çdo burrë shqiptar që rreh gjoksin e thotë ‘unë jam burrë’ – të vras, bëhu më i fortë. ‘Ç’bën ti kështu se je djali i nënës?’. Ç’u bënë të gjitha këto përqafime? Ç’u bënë të gjitha këto ledhatime? Këto janë kërcënimet që ai gjithmonë ia ka thënë edhe në prezencën tonë. Ai me frikë, para babës, ka përqafuar nënën”, ka deklaruar Zhubi.