Një ngjarje e rëndë është raportuar të shtunën në fshatin Likoc të Skenderajt, ku 79-vjeçari Fekë Zeneli është gjetur i shtrirë në rrugë dhe më pas është konstatuar vdekja e tij.
Rasti është raportuar në Polici më 24 tetor, rreth orës 14:00, pasi qytetarët kanë hasur në të moshuarin e shtrirë në rrugë.
Fekë Zeneli është dërguar në emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj, ku mjeku kujdestar, rreth orës 15:00, ka konstatuar vdekjen e tij.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe hetimore, ndërsa lidhur me rastin janë intervistuar edhe dy persona në cilësinë e dëshmitarëve.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa shkaku i vdekjes pritet të përcaktohet nga ekzaminimet mjekoligjore.






