Lokale - eSIMy

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar kandidaturën për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e brendshme që pritet të mbahen vitin e ardhshëm. Ai ka deklaruar gjithashtu se kryetari aktual i partisë, Lumir Abdixhiku, do të duhej të jepte dorëheqje.

Pas këtij njoftimi, ish-deputetët e LDK-së, Rrezarta Krasniqi dhe Xhavit Ukaj, kanë vlerësuar se Abdixhiku është dashur të largohej më herët nga drejtimi i partisë.

Krasniqi ka deklaruar se koha e Abdixhikut në krye të LDK-së ka përfunduar, duke theksuar se ai është dashur të jepte dorëheqje edhe më herët.

“Unë mendoj që Lumiri është dashtë me dhënë dorëheqje edhe më herët. Koha e tij si kryetar i LDK-së ka përfunduar”, ka deklaruar Krasniqi.

Ndërkaq, ish-deputeti Xhavit Ukaj ka thënë se që nga humbja e zgjedhjeve ka pritur që Abdixhiku të jepte dorëheqje, por kjo nuk ka ndodhur. Sipas tij, kandidatura e Ramës do ta bëjë më interesante garën për kreun e partisë.

Ukaj ka paralajmëruar gjithashtu se në ditët në vijim mund të shpallen edhe kandidatura të tjera.

“Ka edhe disa kandidatura të tjera që besoj se do t’i shpallin në ditët në vijim”, ka deklaruar ai.

Ai ka shprehur bindjen se Abdixhiku nuk do ta fitojë garën për kryetar të LDK-së nëse vendos të kandidojë sërish.

“Një gjë e di, Abdixhiku edhe në rast se kandidon, me siguri që nuk ka për të fituar”, është shprehur Ukaj. /Frontonline