Bajram Arifi, 29-vjeçari që u vra të dielën mbrëma në fshatin Pogragjë të Gjilanit, kishte humbur para dy vitesh edhe vëllain e tij, Fidan Arifin, i cili vdiq pas një aksidenti me motor.
Fidani ishte aksidentuar më 7 prill 2024, ndërsa vdiq më 17 maj të po atij viti, pas disa javësh përballje me lëndimet e rënda që kishte pësuar.
Për shërimin e tij, familjarët dhe të afërmit kishin kërkuar ndihmë financiare nga qytetarët.
Dy vjet pas kësaj tragjedie, familja Arifi u godit nga një tjetër ngjarje e rëndë.
Bajram Arifi mbeti i vrarë të dielën mbrëma në Pogragjë. Policia e Kosovës ka konfirmuar se rasti është raportuar rreth orës 19:30, ndërsa vdekjen e tij në vendin e ngjarjes e ka konstatuar ekipi mjekësor.
Për vrasjen dyshohet babai i tij, Remzi Arifi, i cili, sipas Policisë, është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ndodhet në kërkim policor.
Rrethanat dhe motivi i kësaj ngjarjeje janë ende nën hetim.






