Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastin tragjik në Gjilan ku babai dyshohet se e ka vrarë djalin e tij.
“Me datën 11.10.2026 rreth orës 19:30 kemi pranuar një informacion për të shtëna me armë zjarri në fshatin Pogragjë të komunës së Gjilanit. Menjëherë pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe Prokurori i Shtetit. Sipas informatave fillestare dyshohet se si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka humbur jetën një person i gjinisë mashkullore i lindur në vitin 1997. Vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes e ka konstatuar ekipi mjekësor”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Siç ka njoftuar Policia i dyshuari është arratisur dhe i njëjti është emër i njohur për organet e rendit.
“Lidhur me rastin një person i dyshuar mashkull kosovar i njohur për Policinë është vënë në kërkim policor, pasi dyshohet se pas kryerjes së veprës është larguar nga vendi i ngjarjes. Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitë përkatëse hetimore është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe operative për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit’, ka thënë zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit”, ka thënë zëdhënesi i Policisë Valon Osmani.






