Lokale - eSIMy

Aktualisht, Ligji për Automjete nuk lejon importimin në Kosovë të automjeteve më të vjetra se 10 vjet. Për ta ndryshuar këtë rregull nuk mjafton një vendim administrativ i Doganës, por kërkohet ndryshim i Ligjit për Automjete dhe miratim i tij në Kuvend.

Komuniteti “Marakli t’kerreve” kishte kërkuar pikërisht këtë, duke thënë se çështja prek jo vetëm adhuruesit e automjeteve, por edhe mijëra qytetarë, familje dhe biznese që merren me importimin, shitjen dhe përdorimin e veturave.

“Marakli t’kerreve nuk po kërkon më një premtim. Po kërkon realizimin e premtimit”, thuhej në reagimin e tyre publik.

Ata kanë kërkuar që modeli i ri të mos bazohet vetëm në vitin e prodhimit, por të marrë në konsideratë edhe standardet e emetimit të gazrave, sigurinë teknike dhe gjendjen reale të automjetit.

Projektligji i ri për Automjete është në përgjegjësi të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Edhe në dokumentet e mëhershme strategjike të Qeverisë, hartimi i Ligjit të ri për Automjete është renditur në kuadër të përmirësimit të legjislacionit të transportit dhe harmonizimit të tij me direktivat e Bashkimit Evropian.

Megjithatë, fakti që Projektligji është futur në programin legjislativ nuk do të thotë automatikisht se kufizimi 10-vjeçar është hequr. Përmbajtja përfundimtare e draftit duhet të tregojë nëse Qeveria do ta përfshijë konkretisht premtimin për liberalizimin e importit dhe me cilat kritere do ta zëvendësojë kufizimin aktual.

Po ashtu, pas miratimit nga Qeveria, projektligji duhet të procedohet në Kuvend, të kalojë shqyrtimin parlamentar dhe të votohet para se ndryshimet të mund të hyjnë në fuqi.

Pra, kërkesa e “Marakli t’kerreve” vjen në një moment kur Ligji i ri për Automjete tashmë është në agjendën legjislative të Qeverisë. Tani mbetet të shihet nëse versioni që do të procedohet do ta përmbajë edhe heqjen e kufizimit 10-vjeçar të premtuar gjatë fushatës.