Screenshot
Lokale - eSIMy

Një rast i përleshjes fizike mes disa personave në Podujevë ka marrë një rrjedhë tjetër pas hetimeve shtesë të Policisë, pasi tre të mitur, të cilët fillimisht ishin trajtuar si viktima, tashmë janë përfshirë në rast në cilësinë e të dyshuarve.

Ngjarja ka ndodhur më 9 tetor, rreth orës 10:20, në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Podujevë, brenda një lokali.

Sipas informacioneve që ka publikuar Sinjali, një person, pasi kishte mësuar se vëllai i tij ishte rrahur, kishte shkuar në lokal, ku dyshohet se kishte sulmuar fizikisht disa të mitur.

Gjatë kontrollit policor, të dyshuarit i është gjetur një thikë, e cila është sekuestruar si provë materiale. Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës dhe konsultimit me prokurorin, ai është ndaluar për 48 orë.

Megjithatë, pas veprimeve të mëtejshme hetimore, tre të miturit që fillimisht konsideroheshin viktima janë përfshirë në rast si të dyshuar, nën dyshimin se edhe ata kishin ushtruar dhunë fizike ndaj personit të ndaluar.

Sipas të njëjtave informacione, tre të miturit kanë pranuar verbalisht se e kishin sulmuar personin në fjalë, ndërsa ky i fundit ka pranuar trajtim mjekësor.

Rasti po hetohet për veprat penale “Mbajtje në pronësi dhe kontroll të paautorizuar të armës” dhe “Sulm”, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.